26-04-2024

Luanët e mëdhenj i hanë ujqit e vegjël

Këto vijnë për faktin, siç thotë Afrim Morina dhe Nuri Luboteni, pronar dyqanesh, se nuk ka shitje, kështu që po mendojnë t’i mbyllin lokalet. Ata akuzojnë sidomos qendrat e madha tregtare, të cilat direkt ose indirekt i kanë dëmtuar këta pronarë lokalesh. Morina mendon se politika e gabuar ekonomike e ka sjellë Prizrenin, e sidomos dyqanxhinjtë në këtë situatë të rëndë, sepse Prizreni ka së paku 12 qendra tregtare, ata janë konkurrentë të mëdhenj.

Mbyllja e bizneseve, shenjë e keqe

Nuhi Luboteni, i cili merret me dekada me tregti, ka një lutje që të përmirësohen kushtet nga komuna, përndryshe janë të detyruar të largohen nga Prizreni. Ai e përshkruan si tejet të rëndë gjendjen në Prizren. Për këtë gjendje të rëndë në Prizren nga zyra e Odës Ekonomike në Prizren flet edhe Afrim Tejeci.

“Asnjë projekt për zhvillim, lokali ekonomik nuk mund të qëndrojë, po qe se nuk bazohet në një analizë të situatës aktuale ekonomike në të cilën gjendet Prizreni”. Ai tregon për “Kosova Sot” se ekonomia e Prizrenit gjatë disa viteve ishte në stagnim, e viteve të fundit ka filluar të mbetet prapa, pasi që e ka humbur pozitën e dytë në nivel të Kosovës. Liman Asllani, ekspert i ekonomisë, thotë se përderisa në Prishtinë brenda vitit regjistrohen 2398 biznese, në Prizren regjistrohen 693, kurse në Ferizaj 675.”Por, alarmante është treguesi tjetër: derisa në Prishtinë mbyllen 284 biznese e në Ferizaj 113 në Prizren mbyllen 252 biznese, brenda vitit”, tregon Liman Asallani.

Neglizhenca me parkun e biznesit

Asllani thekson se gjithnjë e më pak kemi investime vendore e të jashtme në Prizren, por edhe gjetiu në Kosovë.

“Papunësia sa vjen e rritet, standardi qytetarëve po bie dhe shumë të rinj perspektivën e shohin jashtë”, theksoi ai. Sipas Afrim Tejecit, komuna e Prizrenit ka bërë investime të shumta, por neglizhenca e Qeverisë qendrore e ka neglizhuar Parkun e biznesit në Prizren e ky është një dëm i madh për bizneset. Nga janari e deri në muajin dhjetor të vitit 2018, në Kosovë kanë falimentuar 1 mijë e 619 biznese. Kurse në vitin e kaluar numri i bizneseve që janë shuar është 1142. Kjo tregon se numri i bizneseve që kanë falimentuar këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar. (Kosova Sot)

Asnjë koment

Comments are closed.