05-10-2024

Malisheva po i tejkalon telashet me rrymën, KOSTT-it i jep një projekt afro 7- milionë eurosh për ndërtimin e nënstacionit të ri

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, u prit nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Gjatë këtij takimi të frytshëm, ata diskutuan me entuziazëm mbi avancimin e procedurave dhe përgatitjeve për ndërtimin e nënstacionit të ri në Malishevë.
Gjatë vizitës në zonën e planifikuar për ndërtimin e nënstacionit 220/35/10(20)kV, z. Zeqiri theksoi rëndësinë e këtij projekti për forcimin dhe përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë. Ai gjithashtu nënvizoi se ndërtimi i këtij nënstacioni, do të krijojë mundësi për zhvillim ekonomik lokal dhe do të kontribuojë në integrimin dhe operimin e sigurt të burimeve të ripërtërishme të energjisë në këtë rajon, duke qenë kështu në përputhje me objektivat afatgjata të politikave energjetike të vendit.

Ky projekt me një investim prej 6.8 milionë eurosh do të garantojë një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për rajonin e Malishevës, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të këtij rajoni dhe të Republikës së Kosovës në tërësi. Po ashtu, ndërtimi i nënstacionit do të përmirësojë kapacitetet transmetuese, do të ulë energjinë e padërguar te konsumatorët dhe do të optimizojë proceset e mirëmbajtjes së linjave transmetuese.

Në këtë mënyrë, do të plotësohen kriteret teknike të sigurisë së furnizimit N-1, një parakusht i rëndësishëm për vazhdimin e marrëveshjes së re për kyçje midis KOSTT-it dhe ENTSO-E, e cila pritet të arrihet së shpejti.
Ky projekt i rëndësishëm përbën një hap të rëndësishëm përpara në sigurimin e energjisë dhe përmirësimin e kushteve për zhvillim në rajonin e Malishevës dhe më gjerë

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.