24-10-2024

Me duar në xhepa, “përfaqësimi” i Prizrenit të kulturës dhe Kryeqytetit Historik të Kosovës nga delegacioni komunal në Turqi

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga ueb faqja zyrtare e Komunës së Prizrenit, një delegacion prirë nga kryetari Shaqir Totaj, po qëndron për një vizitë në Komunën e Edirnes në Turqi, raporton Gazeta e Prizrenit.

Ajo që bie në sy në një foto, është një veprim i pahijshëm i delegacionit prizrenas, përkatësisht i kryetarit Totaj dhe zv/kryesuesit të Kuvendit Komunat, Levent Bush.

Ata janë parë më duar në xhepa, në shoqërimin nga nikoqiri, Kryetari i Edirnes, Recep Gürkan, i cili shihet i veshur me kostum.

Në rast se kjo vizitë është zyrtare, sipas një protokolli të paraparë, atëherë parashihen edhe rregullat, ku përfshihet edhe veshja.

Qëndrimi me duar në xhepa nuk është i hijshëm edhe në rastet kur bisedohet me ndonjë zyrtar të ulët, e lëre më në rast se në takime të tilla, përfaqësohet fytyra e një qyteti të rëndësishëm, si Prizreni. Kjo për faktin se kjo komunë,  jo vetëm që është e dyta për nga madhësia në Kosovë, por edhe se Prizreni njihet si qytet i kulturës dhe zyrtarisht është shpallur Kryeqytet Historik i Kosovës.

Prandaj, në raste të tilla nuk mund të bësh çka të duash, por duhet të bësh atë çka duhet!

Nga fotoja e publikuar, del se disa zyrtarë bëjnë mirë ta hapin fjalorin dhe ta lexojnë kuptimin e fjalës ”Protokoll”. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.