25-04-2024

Mësimdhënësit e sistemit paralel ’90-’99 paguhen para vitit të ri

Kompensimi ligjor për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë viteve 1990-‘99, në kuadër të sistemit paralel të arsimit, pritet të fillojë së shpejti. Nga Ministria e Punës kanë thënë për Radio Kosovën se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë gjë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dërguar kërkesën për pagesë për 9 mijë e 500 punëtorë të arsimit të viteve’90-ta në Ministrinë e Financave, ku pritet që gjatë dhjetorit të bëhet edhe ekzekutimi i tyre. Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bahri Xhaferi, tha për Radio Kosovën se këta punëtorë do të marrin pagesën në mënyrë retroaktive që nga muaji prill kur edhe ka hyrë Ligji në fuqi.

“Është kompletuar dosja. Rreth 9 mijë e 500 raste janë trajtuar, janë vendimet e gatshme dhe çdo gjë është në rregull. Besoj që Ministria e Financave është angazhuar për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë të mundshme dhe të bëhet pagesa e tyre në një periudhë sa më të shkurtër, sigurisht para Vitit të Ri do të ndodhë kjo”, tha ai.

Nga Ministria e Financave, është bërë e ditur se mjetet do të ekzekutohen së shpejti, pasi për këtë është ndarë edhe buxheti për vitin 2019. Ndërkohë, Ymer Ymeri, nga Sindikata e Arsimit, sqaroi se si janë të ndara kategoritë e mësimdhënësve që përfitojnë nga ky ligj.

“Janë të ndara sipas kategorisë së përfitimit, duke filluar me rreth 3, 70 për vitin e parë të pagës bazë në arsimin fillorë deri te ata që i kanë 9 vjet, diku rreth 18 për qind të pagës bazë të arsimit fillorë. Të drejtën e realizimit të pensionit e fitojnë pasi të dalin në pension”, tha Ymeri.

Vlera për kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, nis nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar. Shuma mësim-dhënësve iu ndahet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit.

Asnjë koment

Comments are closed.