05-12-2020

Mësimi në distancë me pasoja, sociologu: Shkolla e pazëvendësueshme

Rënie të suksesit në mësime, probleme në socializim e me probleme të tjera psikologjike mund të përballen fëmijët dhe nxënësit nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë larg objekteve shkollore.

Kthimin e nxënësve në shkolla e sheh si të domosdoshme sociologu Besim Gollopeni, i cili thotë se nëse një gjë e tillë nuk ndodh nxënësit do të përballen me probleme në të ardhmen.

 

Duke qenë se deri më tani Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka marrë vendim se si do të zhvillohet procesi mësimor për këtë vit shkollor, Gollopeni insiston që të gjenden forma që nxënësit të kthehen në bankat shkollore pa iu rrezikuar shëndeti nga infektimi me COVID-19.

 

Sociologu Gollopeni thotë se institucionet duhet të bëjnë një analizë nga njohësit e fushës së arsimit por edhe të shkencave sociale, për të analizuar se cilat janë efektet e kthimit dhe moskthimit në bankat shkollore.

Profesori Haskuka e bëri “lëmsh” arsimin në Prizren

 

“Si e para, si e dyta shoqërohet me rreziqe jashtëzakonisht të mëdha, madje moskthimi në bankat shkollore fëmijët apo nxënësit tanë do t’i përcjellë dhe për vite të tëra me efekte të shumë anshme si në aspektin e socializimit, po ashtu edhe në aspektet psikologjike, po edhe në aspektin e mësim nxënies pa dyshim do të reflektojë jashtëzakonisht shumë tek fëmijët. Andaj paraprakisht besoj fort që institucionet tona do të vlerësojnë gjendjen aktuale të shëndetit publik, pastaj do të shikojnë gjendjen ekzistuese të infrastrukturës shkollore të cilën ne e kemi për secilën komunë”, thotë ai.

Gollopeni thotë se vet objekti shkollor krijon një ambient më pozitiv për nxënësit, e që sipas tij kjo do të ndikonte që atë të jenë më të shoqërueshëm me bashkëmoshatarët, por edhe më të suksesshëm në mësime.

“Nëse ekspertët, njohësit e fushës dhe institucionet gjegjëse vlerësojnë se ne kemi infrastrukturë të mjaftueshme atëherë kthimi në bankat shkollore është i pazëvendësueshëm dhe nuk ka gjë tjetër që mund të zëvendësojë kthimin në bankat shkollore. Kur e them këtë jo vetëm për aspektet sociale dhe psikologjike, por marrë parasysh edhe rrethanat sociale dhe ekonomike në të cilën ndodhet sot vendi ynë. Mos të harrojmë që rreth 50 përqind e popullatës sot ndodhet në një varfëri dhe në një papunësi të lartë”, thekson ai.

Në rast të moskthimit të të gjithë nxënësve në shkolla, Gollopeni thotë se është e domosdoshme që një gjë e tillë të bëhet për fëmijët e klasave të para, të dyta, gjashta dhe të dhjeta.

“Klasën e parë çdo fëmijë në moshën e hershme mezi e pret dhe është kurioz për të parë, për të eksploruar se çfarë i sjell ambienti shkollor, mjedisi shkollor, për t’u socializuar me bashkëmoshatarët e tyre, për t’u njohur akoma më shumë me mësimdhënësin e tyre i cili është në një formë një prind i dytë i këtyre fëmijëve. Por, kjo është fondamentale sidomos për këtë klasë, për këtë kategori kthimi në bankat shkollore. Andaj unë nga këtu apeloj tek institucionet që të bëjnë çmos që është e mundur që klasën e parë dhe klasën e dytë, që fatkeqësisht ka pasur ngecje apo i ka zënë në gjysmëvjetorin e dytë pa e përfunduar klasën e parë, të kthen në bankat shkollore, të gjenden solucione apo alternativa të cilat mundësojnë apriori ruajtjen e shëndetit. Insistoj kategorikisht që kjo kategori apo klasa e parë dhe e dytë, por edhe klasa e gjashtë dhe klasa e dhjetë të bëhet përpjekje maksimale që të kthehen në klasë, po posaçërisht klasa e parë dhe e dytë domosdoshmërish duhet të gjendet zgjidhje”, potencon ai.

Sociologu Gollopeni, deklaron se Ministria e Arsimit por edhe institucionet e tjera duhet të gjejnë zgjidhje që ky vit shkollor të fillojë në objektet shkollore, por duke u siguruar që të mos rrezikohet shëndeti i nxënësve.

“Nuk kemi nevojë të shkojmë në klasa me 40 nxënës për klasë, të reduktojmë numrin e nxënësve nëpër klasa, kjo është njëra prej elementeve fondamentale. E dyta, që është shumë e rëndësishme është monitorimi dhe kontrolli, ndërtimi i mekanizmave që përcjellin mobilizimin e mësimit, organizimin dhe funksionimin, lëvizjet e nxënësve nëpër hollët apo korridoret e shkollave dhe çdo gjë tjetër që çon në ruajtjen e shëndetit në shkolla. E fundit, bashkëpunimi më i ngushtë me familjet, me prindërit, bashkëpunimi me komunitetin e bënë më të lehtë procesin mësimor, por natyrisht edhe më pak me rreziqe apo efekte negative siç është pra situata me COVID-19”, thotë ai.

Procesi mësimor ishte ndërprerë me 12 mars si masë parandaluese për përhapje të virusit COVID-19, e i cili më pas kishte vazhduar online.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve, ku skenari A përfshin mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masat parandaluese, skenari B nënkupton rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar-prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C mësimi në distancë.

Asnjë koment

Comments are closed.