Prizren: Ndërroi jetë profesori e veprimtari i çështjes kombëtare, Prof. Dr. YLL ZAJMI

Në moshën 88 vjeçare është ndarë nga jeta Prof. Dr. Yll Zajmi. Lajmin e kanë dhënë familjarët e tij, raporton Gazeta e Prizrenit.

Profesor Ylli ka punuar një kohë të gjatë në ish-SHLP “Xhevdet Doda” të Prizrenit.

Në një përkujtim me titull “U shua edhe ylli që ndriçoi gjenerata”, kolegu i tij, Prof. Dr. Sabahajdin Cena ka shkruar se prof. Ylli u bë pedagog i shquar dhe interpret i famshëm i vlerave historike e artistike që prej kohës së Monak Brokardit e deri te Gjergj Fishta e Esat Mekuli. Së bashku me profesor Anton Çettën sajonte dyshin e flatrave të historianit të famshëm Dhimitër Simon Shuteriqin. Më kujtohet shumë edhe për faktin se ishte rensent i imi i parë në karrierën time pedagogjike universitare, udhëzues i të rinjve të Shkollës së Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”, sot Universiteti “Ukshin Hoti” ku punuan edhe shumë emra të shquar të studiuesve e të interpretëve të fushës së gjuhësisë dhe të letërsisë.

“Pra, ishte jo vetëm yll, por edhe një dragua që që lë gjurmë të thella shkencore mbi të gjithë ata që kaluan nëpër shkollë të lartë e sot janë idealistë të pathyeshëm, ish-të burgosur politikë, dëshmorë të kombit, invalidë, komandantë e luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai në “facebook”.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të hënën, me 12 shtator 2022, në varrezat e Prizrenit, në ora 16:00.