21-06-2021

Nisin hetimet ndaj komandantit të policisë në Rahovec, Osman Ismajlit

Drejtoria Rajonale në Gjakovë  ka njoftuar se pas raportimit të KALLXO.com  me titull “Gruaja e komandantit vozitet me veturë zyrtare”, kanë  filluar hetimet për komandantin e stacionit të policisë në Rahovec, Osman Ismajli.

KALLXO.com ka publikuar dje video në të cilat shihet se në së paku tetë raste Lirije Osmani, bashkëshortja e komandantit të policisë në stacionin e Rahovecit, Osman Ismajlit ka udhëtuar me veturë zyrtare.

“Është iniciuar procedura ligjore ndaj komandantit të stacionit policor në Rahovec, ku fillimisht çështja është dërguar për shqyrtim në Inspektoratin Policor të Kosovës e paralelisht është njoftuar edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Kosovës dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat adekuate”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë rajonale në Gjakovë dhënë për KALLXO.com.

Drejtoria Rajonale në Gjakovë ka thënë për KALLXO.com se çështja e shfrytëzimit të automjeteve të Policisë së Kosovës është e rregulluar përmes rregulloreve të brendshme ku përcaktohen edhe kufizimit e përdorimit të tyre.

“Për çdo identifikim apo raportim të keqpërdorimit të automjeteve zyrtare ndërmerren veprime sipas procedurave standarde disiplinore”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndryshe komandanti Osman Ismajli, në një prononcim të tij dhënë përmes telefonit për KALLXO.com ka deklaruar fillimisht se bashkëshortja e tij ‘udhëton me autobus’. Mirëpo, kur është pyetur se ka filmime ku bashkëshortja e tij shihet duke udhëtuar me veturën zyrtare të policisë, Ismajli ka deklaruar më pas se ‘kjo ka ndodhur, por se nuk do të ndodhë më’.

Asnjë koment

Comments are closed.