03-11-2024

Pakënaqësi për drejtorët,  VV akuzon NISMËN për tradhti

Shfaqen pakënaqësitë e përfolura, pas shpalljes së emrave të propozuar për drejtorë të shkollave në Prizren. Përpos opozitës, procesin e kanë kritikuar edhe përfaqësues të Vetëvendosjes, në organin më të lartë lokal të Prizrenit, duke e vlerësuar procesin si zhgënjyes për qytetarët.

 

Asamblistja e Vetëvendosjes,  Mimoza Bushrani  ka shkruar në facebook se “Kosova është e vogël, Komuna e Prizrenit edhe më e vogël dhe nuk ka se si të mos kuptohet se për të qenë pjesë e Komisionit për Përzgjedhjen e Drejtorëve dhe Zëvendësdrejtorëve, persona të caktuar “kushtëzohen” që ta ndërrojnë subjektin politik. Me t’u përmbushur kjo “kërkesë” e NISMA-s, procesi i allishverishit për formimin e këtij komision nuk zgjat më shumë se tri ditë”.

Ajo ka vlerësuar si tepër zhgënjyese që NISMA nuk iu përmbajt parimeve të cilat i kishte negociuar gjatë kohës së formimit të koalicionit qeverisës në Prizren, ndërsa lista e kandidatëve të propozuar për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë është larg asaj që e kanë pritur shumica e qytetarëve të Komunës sonë.

“Jo vetëm kandidatët që kanë të drejtë për ankesa dhe parashtesa, por këtë të drejtë e gëzon çdo qytetar i Komunës së Prizrenit, ata të cilët e duan një arsim apolitik. Drejtoria e Arsimit në Prizren, që udhëhiqet nga NISMA, ia ka huq qëllimshëm me anëtarët e këtij komisioni e më pas edhe më listën e kandidatëve të propozuar. DKA ( lexo Nisma) paraprakisht rekrutoi anëtarë të rinj, kryesisht nga PDK-ja dhe rezultati përfundimtar për shumicën e qytetarëve të Prizrenit po del të jetë tepër zhgënjyes”, ka shkruar ajo.

 

Bushrani ka vlerësuar se asnjë gur i lëvizur për ndryshimin e arsimit, ndryshim i cili po pritet me interesim nga shumica e qytetarëve.

“Personat që ndërruan subjektin politik për një interes personal, e kanë vetëm një emër, ata janë kopilë të politikës ditore, e me kopilë të tillë asnjë proces nuk shtyhet përpara.  Çfarë të presim më tepër kur një “JO” e Nismës, brenda natës bëhet “Po”?  Njëjtë sikur me rastin e projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi”, ka përfunduar ajo.

Ajo që të bie në sy në këtë shkrim janë komentet përkrahëse të disa anëtarëve të këtij subjekti, disa prej të cilëve e kanë vlerësuar si procesin si “amatorizëm”./gazetaeprizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.