31-08-2026

Pas verës përvëluese, Evropa hyn në shtator me rrezik për mot ekstrem

Pas një vere të jashtëzakonisht të nxehtë, moti në Evropë pritet të bëhet më i paqëndrueshëm gjatë shtatorit, me Mesdheun që mund të përballet me reshje të dendura dhe stuhi të fuqishme.

Sipas meteorologëve, deti ka grumbulluar sasi të mëdha nxehtësie gjatë muajve të verës. Kur temperaturat e larta të sipërfaqes së detit përplasen me masat më të ftohta të ajrit që vijnë në fillim të vjeshtës, krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e sistemeve të fuqishme atmosferike dhe reshjeve intensive.

Ekspertët e përshkruajnë Mesdheun si një zonë me rrezik të shtuar për përmbytje të shpejta gjatë shtatorit dhe tetorit, pasi këta muaj shënojnë periudhën kur deti është më i ngrohtë, ndërsa fillojnë të depërtojnë masa më të ftohta ajrore.

Ndërkohë, El Niño po forcohet me shpejtësi. Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se fenomeni pritet të intensifikohet gjatë vjeshtës, duke rritur mundësinë për temperatura të larta, reshje të mëdha dhe ngjarje të tjera ekstreme në pjesë të ndryshme të botës.


Në Europë, ndikimi i El Niños është më indirekt, por parashikimet sugjerojnë se vjeshta mund të jetë më e ngrohtë se normalja në disa zona.

Madje, viti 2027 po konsiderohet gjithnjë e më shumë si kandidat për të thyer rekordin global të temperaturave. Met Office, shërbimi meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar vlerëson se 2027 ka shumë gjasa të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar, për shkak të ndikimit të pritshëm të një El Niño të fuqishëm mbi ngrohjen globale.

 

Asnjë koment

Comments are closed.