23-04-2024

PDK e sheh si politik, largimin e 7 mjekëve nga shkolla e mjekësisë në Prizren

Dega e PDK-së në Prizren, ka reaguar ndaj siç thuhet largimit të 7 mjekëve, të cilët kanë qenë mësimdhënës në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni”,  duke thënë se arsyet e këtij veprimi janë politike,  për t’i zëvendësuar ata me militantë partiak të pushtetit aktual.

Në një komunikate për medie nga ky subjekt, thuhet së në këtë shkollë orët e lëndëve mjekësore nuk janë duke u mbajtur, për arsye të largimit nga puna të mësimdhënësve – mjek specialist, me përvojë të gjatë në mësimdhënie.

“Arsyet janë të qarta politike, që të largohen mësimdhënësit me përvojë dhe të sillen militantët e tyre partiak. Drejtoria komunale e arsimit në Prizren, shpall konkurs duke shkelur Udhëzimin Administrativ 05/2015-Normativi për mësimdhënësit e arsimit profesional, Ligjin e Punës Nr.3/L-212-2010, Ligjin e Arsimit Parauniversitar Nr. 04/L-032-2011, Ligjin për Arsim në Komuna Nr.03/L-068-2008, Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional Nr. 04/L-138-2013, ku largon mjekët specialistë dhe shpall konkurs për mjekë të përgjithshëm duke anashkaluar legjislacionin në fuqi, dhe të arrijë qëllimet për interesa të tyre partiake”, thuhet në komunikatë.

“Çfarë cilësi pritet të ketë në këtë shkollë, pas këtij vendimi skandaloz ?  ShMLM “Luciano Motroni’’ në Prizren, ndër vite ka qenë shkolla më e mirë në nivel të Kosovës për cilësi,  kjo është vlerësuar nga DKA në Prizren dhe MASHT-i. Kjo cilësi është arritur fal angazhimit dhe përvojës shumëvjeçare të këtyre mësimdhënësve profesional mjek- specialist dhe mësimdhënësve tjerë që punojnë në këtë shkollë”, thuhet më tej.

Mësimdhënësit e larguar nga kjo shkollë, në këtë institucion shkollor punojnë me dhjetëra vite:

  1. Sharr Vezgishi – mjek specialist, 28 vite përvojë pune në këtë shkollë.
  2. Nazif Ahmeti- mjek specialist, 16 vite përvojë pune në këtë shkollë.
  3. Genc Muja- mjek specialist, 18 vite përvojë pune në mësimdhënie.
  4. Nexhip Berisha- mjek specialist, 8 vite përvojë pune në këtë shkollë.
  5. Shenasi Xhemaj- mjek& psikolog, 3 vite përvojë pune në këtë shkollë.
  6. Filiz Hashani – mjeke, 19 vite përvojë pune në këtë shkollë.
  7. Armend Fejza- mjek, 10 vite përvojë pune në këtë shkollë.

Në komunikatën e PDK-së, thuhet se të gjithë këta mjek-mësimdhënës për punën e tyre janë vlerësuar për performancë të lartë nga të gjitha menaxhmentet në vazhdimësi të kësaj shkolle.

“Bazuar në kualifikimin, përvojën, performancë e këtyre mësimdhënësve, duket qartë se problemi është politik,  ku drejtori i DKA në Prizren, Skënder  Susuri, vepron në mënyrë selektive, ku nuk vepron njëjtë dhe nuk hapë konkurse për mësimdhënës të cilët nuk janë adekuat apo të kualifikuar, dhe ku numri i tyre është mjaftë i lartë. Në krejt këto lojëra politike të DKA-së në Prizren të vetmit që pësojnë janë nxënësit”, thuhet ndër tjera në komunikatë.

PDK thotë së se shpreson që organet kompetente të drejtësisë, do të merren me këtë rast, dhe t’i ndalojnë ndërhyrjet e tilla politike në arsim në komunën e Prizrenit,  të cilat sipas saj bëhen me qëllime të caktuara politike, dhe në dëm të nxënësve të kësaj komune./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.