19-04-2024

Pezullimi i 37.5 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për komunat, Ibrahimi del me një kërkesë urgjente

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) Sazan Ibrahimi në emër të kryetarëve të komunave ka kërkuar nga institucionet qendrore lejimin e bartjes së të gjitha mjeteve nga të hyrat vetanake e që momentalisht qeveria ka pezulluar 37.5 milionë euro ndaj komunave.

Në një reagim të dërguar në IndeksOnline, Ibrahimi ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati që të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022, të lejohet shfrytëzim i tyre nga ana e komunave si mjete të tyre të garantuara me akte ligjore.

“Edhe përkundër faktit se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e vet, ende këto mjete nuk iu janë bartur Komunave si të hyra vetanake të Komunave (rreth 37.5 milion euro) në buxhetin e vitit 2023, duke penguar kështu projekte zhvillimore komunale të cilat financohen nga të hyrat vetanake të grumbulluara nga taksat e qytetarëve të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i plotë i Sazan Ibrahimit:

Kërkesa e kryetarëve të komunave drejtuar institucioneve qendrore për lejimin e bartjes të të gjitha mjeteve nga të hyrat vetanake ku për momentin qeveria ka pezulluar 37.5 milion eur ndaj komunave.

I nderuar Kryetar i Kuvendit z.Konjufca,

I nderuari Kryeministër z.Kurti,

I nderuari Ministër z.Murati,

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e mbajtur me datën 15.12.2022  ka miratuar Ligjin Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023.

Në versionin e Projektligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023 të dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e Republikës së Kosovës, neni 9, paragrafi 6 ka qenë i formuluar si në vijim: “Bilancet e pashpenzuara te të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2023, sipas autorizimeve të LMFPP-së, duke ruajtur strukturën e shpenzimeve dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës. Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Andaj, duke marrë për bazë krejt reagimet, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka miratuar amendamentin që të fshihet nga Projektligji pjesa e dytë e paragrafi 6 të nenit 9 “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Pra, vullneti i Kuvendit të Republikës së Kosovës është shprehur qartë: të gjitha të hyrat vetanake të Komunave pavarësisht vitit të mbledhjes së tyre i takojnë Komunave dhe të njëjtat duhet të përfshihen në buxhetin e komunave.

Edhe përkundër faktit se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e vet, ende këto mjete nuk iu janë bartur Komunave si të hyra vetanake të Komunave (rreth 37.5 milion euro) në buxhetin e vitit 2023, duke penguar kështu projekte zhvillimore komunale të cilat financohen nga të hyrat vetanake të grumbulluara nga taksat e qytetarëve të tyre.

Me këtë rast, Komunat e Republikës së Kosovës kërkojnë që të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 të lejohet shfrytëzimin i tyre nga ana e Komunave si mjete të tyre të garantuara me akte ligjore.

Asnjë koment

Comments are closed.