25-04-2024

Departamenti i Psikologjisë vlerëson dhe monitoron nevojat e shkollave në Prizren

Në bazë të kësaj marrëveshjeje synohet që të mblidhen informatat relevante nga nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, të cilat më pastaj analizohen dhe u përcillen vendimmarrësve e ekzekutivit për adresimin e çështjeve të identifikuara, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skënder Susuri, ka bërë të ditur se ky dikaster dhe UP-ja, respektivisht Departamenti i Psikologjisë i Fakultetit Filozofik janë pajtuar që sistemi i vlerësimit të nevojave të vazhdueshme të shkollave (monitorimi) në Komunën e Prizrenit fillimisht të pilotohet në dy shkolla fillore dhe në dy shkolla të mesme.

Sipas tij, pyetësorët do të zbatohen përmes tabletave te nxënësit e klasave VI e më lart dhe mësimdhënësit, derisa në mënyrë elektronike do të merren përgjigjet edhe nga prindërit. Ai ka pohuar se pas periudhës së pilotimit plani është që kjo qasje të aplikohet në të gjitha shkollat e Komunës së Prizrenit.

Për zbatimin e këtij projekti, Komuna ka planifikuar që t’i shpenzojë pesë mijë euro. Vendimi për lejimin e këtyre mjeteve është marrë nga kryetari Mytaher Haskuka.

Kryetari Haskuka ka bërë të ditur se me UP-në, përkatësisht Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik janë zhvilluar disa takime, me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit për analizën e situatës në shkollat e Komunës së Prizrenit.

Asnjë koment

Comments are closed.