30-05-2024

Prizren: Gjenden eshtra të një personi, dyshohet të jetë viktimë e luftës së fundit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se gjatë gërmimit në kërkim të peronave të zhdukur me forcë, në varrezat e lagjes Arbanë në Prizren janë gjetur eshtra të minimum një personi që potencialisht mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur nga lufta e fundit. Gërmimet po kryen në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, policisë, ekspertë të EULEX-it si dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. “Pas përfundimit të gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës, në zbatim të Planit të Punës, pas konsultimeve ndërinstitucionale ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës , me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq sot kanë vazhduar me gërmimet në lokacionin e varrezave në lagjen Arbanë të Prizrenit”- thuhet në njoftim.“Gërmimet e filluara paradite, kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave (mbetjeve mortore) të minimumi një individi, viktimë e luftës, që potencialisht vazhdon të jetë në Listën e Personave të Zhdukur”- theksohet tutje në njoftim.
Komisioni Qeveritar bënë të ditur se pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Gjatë muajit të kaluar po ashtu, komisoni qeveritar për persona të zhdukur ka njoftuar për gjetje të mbetjeve mortore në Bishtazhin të Gjakovës si dhe në lagjen ‘Mati’ në kryeqytet që dyshohen të jenë nga lufta e fundit. Mbi 1,600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë nga lufta e fundit në Kosovë 1998/99.
Kallxo

Asnjë koment

Comments are closed.