03-11-2024

Prizren: Lirohen nga akuza personat për pengim të policit në detyrë zyrtare

Gjykata Themelore në Prizren, sot ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarve për “pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, Besfort Sylbija dhe Liridon Jonuzaj.

Vendimi u mor pasi prokurori Musli Gashi është tërhequr nga ndjekja penale ndaj dy të pandehurve, me arsyetimin se nga deklarata e të dëmtuarit, zyrtarit policor Luan Bytyqi, nuk vërtetohen elementet e veprës penale me të cilën ngarkohen Sylbija e Jonuzaj.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, i dëmtuari Luan Bytyqi është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit.

Gjatë deklaratës së tij, Bytyqi ka thënë se të akuzuarin Besfort Sylbija e ka gjobitur për kundërvajtje në ditën kritike, ku më pas, derisa po përfundonte orarin e punës, Sylbija së bashku me Liridon Jonuzajn i janë paraqitur duke kërkuar anulimin e tiketës.

Sipas tij, pasi ai ka refuzuar që të veprojë në këtë mënyrë dhe pas presionit të të akuzuarve, së bashku me një koleg të tij e ka arrestuar Liridon Jonuzajn, ndërsa më pas disa kolegë të tij e kanë arrestuar edhe të akuzuarin Besfort Sylbija, pasi që ngjarja ka ndodhur afër Stacionit Policor në Prizren.

Tutje Bytyqi ka shtuar se të akuzuarit nuk e kanë sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë por vetëm kanë bërë pak rezistencë gjatë arrestimit, ndërsa lëndimet e lehta ka thënë se i ka fituar në mënyrë të pavullnetshme duke kryer procesin e arrestimit.

Pas kësaj deklarate, prokurori Gashi ka hequr dorë nga akuza ndaj dy të pandehurve, duke thënë se nga dëshmia e të dëmtuarit dhe pas leximit të shkresave të lëndës nuk u provua se Sylbija dhe Jonuzaj kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Në këto rrethana, gjyqtarja Sadije Selmani shpalli aktgjykim refuzues.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 28 janar 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër Besfort Sylbijës dhe Liridon Jonuzajt, të cilët i akuzonte se më 26 prill 2014, rreth orës 23:00, kanë penguar zyrtarin policor Luan Bytyqi në kryerjen e detyrave të punës, duke i kërkuar të shlyejë një dënim për kundërvajtje ndaj Besfort Sylbijës.

Sipas aktakuzës, në natën kritike, të akuzuarit kanë shkuar në afërsi të Stacionit Policor – Njësia e Trafikut në Prizren, dhe kur e vërejnë të dëmtuarin Bytyqi, të njëjtit i afrohen dhe duke e kapur për dore i kërkojnë shlyerjen e dënimit dhe kthimin e lejes së qarkullimit, me ç ‘rast zyrtarit policor i shkaktojnë lëndim të lehtë në dorë./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.