Prizren: Mori 150 euro ryshfet për ta hapur një varr mbi një tjetër, kush është punëtori i arrestuar

Një mirëmbajtës varrezash është arrestuar dje rreth orës 09:00 në rrugën ‘Mehmet Hasi’ në qytetin e Prizrenit, pasi i njëjti dyshohet se gjatë kohës që ka hapur një varr të ri, i ka shkaktuar dëme një varreze tjetër. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se punëtori i cili u arrestua nga Policia është B. Kryeziu, 50-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rastin e ka denoncuar një 64-vjeçar, i cili ka deklaruar se Kryeziu ka dëmtuar varrin e bashkëshortes së tij të ndjerë, e cila ishte varrosur muaj më parë.

Kryeziu po ashtu dyshohet se ka marrë ryshfet rreth 150 euro nga 64-vjeçari, për të ndarë vendin për varrin e bashkëshortes së tij, në një vend ku tashmë veçse ishte varrosur një tjetër person.

 

Sinjali mëson se si pasojë e kësaj, në të njëjtin varr, janë dy pllaka memoriale të vendosura me dy emra të ndryshëm.

Me vendim të prokurorit, 50-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dëmtimi i varreve apo kufomave’ dhe ‘Marrje ryshfeti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe :

Çka po fsheh PDK dhe Kryetari Totaj në Prizren?