Prizren: Për ndërtimet pa leje, Komuna dërgon 42 kallëzime në Prokurori (video)

Në debatin e parë publik para qytetarëve dhe shoqërisë civile, kryetari i Komunës  Mytaher Haskuka, sot ka raportuar rreth punës së gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa qytetarët kanë paraqitur brengat e tyre, kryesisht për çështje të infrastrukturës dhe të mungesës së ujit të pijes.

 

Haskuka foli në mënyrë të detajuar, për rreth një orë për punën e bërë, që nga marrja e detyrës nga janari i këtij viti, si dhe ato që parashihet të zhvillohen në vijim.

 

Ndër tjera ai përmendi si problem çështjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa në këtë kontekst tha se janë dërguar 42 padi në Prokurori. “Është interesant se në një objekt 13 katësh, rreth 70 metra larg komunës nuk ka shkuar asnjë inspektor”, tha ndër të tjera ai.

 

Në debat ka pasur qytetarë, të cilët patën rastin ta marrin fjalën për të diskutuar rreth problemeve të cilat i preokupojnë ata.

 

Ndryshe, kryetari i komunës detyrohet që brenda vitit t’i organizojë dy debate me qytetarët, të cilat pos njoftimit për punët e bëra i merr edhe kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Debati i radhës duhet të organizohet në fund të dhjetorit./gazetaeprizrenit.net?