25-04-2024

Prizren: Përkujtohet poeti Abdullah Thaçi, në 7 vjetorin e vdekjes

Biblioteka e Prizrenit në bashkëpunim me Shoqatën për Kulturë dhe Art “Fidani”, të premten në hapësirat e reja të Bibliotekës, ka organizuar takimin letrar “Pemë e vjetër- pemë e re”, me rastin e 7 vjetorit të vdekjes së poetit, Abdullah Thaçi.

Pjesë e këtij aktiviteti letrar ishin shkrimtarë, krijues letrar, zyrtarë, komuna, miq e bashkëpunëtorë dhe familjarë të poetit të ndjerë, Abdullah Thaçi.

Drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj- Kukaj, në fjalën e saj tha se, poeti Thaçi, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në këtë institucion, ku edhe janë botuar shumë vepra të tij, dhe gjurmët e tij janë kudo mes nesh, theksoi ajo.

Në emër të familjes, organizatorët i ka falënderuar për këtë organizim të veçantë e bija e Abdullah Thaçit, Arlinda.

Në këtë takim letrar, krijues nga Kosova e Shqipëria, kanë recituar poezi sikurse edhe grupi I recituesve të shkollës “Emin Duraku”.

Ndryshe, poeti Abdullah Thaçi me 21 tetor të vitit 2015, pas një sëmundje të shkurtër kishte ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare. Ai ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, njëri ndër themeluesit e klubit letrar “Fan S. Noli” në Prizren, anëtar i karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva“, redaktor në revistën për fëmijë “Fidani”. Ishte fitues i shumë konkurseve, shpërblimeve dhe i mirënjohjeve për krijimtarinë e tij poetike./TV Prizreni

Asnjë koment

Comments are closed.