25-04-2024

Rrena e kryetarit Haskuka rreth dënimit të ish-drejtorit të tij për Arsim, Skënder Susurit (dok)

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka mashtruar opinionin pasi ka tentuar që dënimin e ish-drejtorit të tij për Arsim, Skënder Susuri, ta ndërlidh me një vepër të kryer para se ky të ishte pjesë e kabinetit të Haskukës, shkruan sot Gazeta e Prizrenit.

Përpjekjen për ta shmangur të vërtetën kryetari e ka bërë në debatin e tij me gazetaren Jeta Xharra në kuadër të debateve “Jeta në Komuna”.  Ndonëse gazetarja ka tentuar disa herë ta marrë përgjigjen e saktë rreth rastit, të cilin përkundër dënimit të Susurit nga Gjykata, Haskuka tashmë e ka emëruar si bashkëpunëtor, kryetari prizrenas e ka shmangur përgjigjen e saktë.

Haskuka ka deklaruar se ky rast është para qeverisjes së tij. “Dënimi nuk ka qenë për konkurse. Detajet nuk i di. Ai ka qenë drejtor i një shkolle dikund.  Refuzoj me diskutu çështjen private të një personi para qeverisjes sime. Thirreni dhe pyetni”, kanë qenë përgjigjet e kryetarit.

Gazetarja po ashtu e ka pyetur kryetarin se si është e mundur,  të mos e di dhe si ka mundësi që një i dënuar të rikthehet në pozitën e koordinatorit dhe mbikëqyrësit të projekteve me OJQ-të, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, dhe nëse e ka këtë të drejtë Haskuka?!

Portali  “Gazeta e Prizrenit” që pati zbuluar dënimin e “fshehur” të Susurit, duke raportuar për rastin në qershor,  sjell edhe Aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, në të cilin shihet se dënimi me gjobë prej 300 euro për mosshpallje të konkursit publik për mësimdhënës është bërë, për veprën e kryer në prill të vitit të kaluar, kur ai mbante pozitën e drejtorit të DKA-së në kabinetin e Haskukës:

“Se me dt.19.04.2019 në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren duke vepruar në cilësi të Drejtorit të DKA ja mohon ose kufizon personave të tjera të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj, … me të cilën ia mundëson përfitueses F.(B).F që të punoj si mësimdhënëse në Shkollën “…” për të cilin veprim sipas nenit 8 të Ligjit të punës nr.03/L212 i pandehuri është dashur të shpall konkurs publik me qrast ka dëmtuar Xh.K si dhe personat tjerë që kanë qenë të interesuar për një vend të tillë”, thuhet në Akgjykimin e datës 10.03.2020.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nga kjo shihet një “Rrenë të Kryptë” e Haskukës në emisionin me një audiencë të gjerë. Në fakt kjo nuk është “gjuha” e portalit, por titulli i njërës prej rubrikave të emisionit “Jeta në komuna” në rastet kur premtimet e kryetarëve nuk janë përmbushur.

Një manovrim i tillë i profesorit të psikologjisë Haskuka, të zënë ngushtë me ballafaqimin e premtimeve, se nuk do të mbante afër zyrtar të akuzuar e lërë më edhe të dënuar, tregon për mungesë të kuadrove dhe nevojën e riciklimit të njerëzve të shkarkuar, por të mbajtur afër në heshtje, akterë të shpenzuar.

Do theksuar se ajo që binte në sy në Aktgjykimin ndaj Susurit, i cili e ka pranuar fajin, është deklarimi i gjendjes së tij ekonomike si “të dobët”,  kur dihet se gjykimi ndërlidhej me kohën si drejtor i Arsimit dhe deri atëherë kishte mbajtur disa pozita si:  drejtor i një shkolle,  pastaj së paku gjatë 2018-ës ka qenë kryesues i Komisionit të MASHT-it për Testin PISA, ndërsa aktualisht punon edhe si pedagog në një shkollë fillore të Prizrenit.

Në fakt Haskuka edhe më parë ka tentuar ta shmang të vërtetën, duke fshehur rolin brenda DKA-së,  të Skënder Susurit  (të shkarkuar me kërkesë të partisë së tij Nisma).  Zbardhjen e këtij fakti kryetari e ka bërë vetëm pas presionit publik dhe reagimit opozitar, një muaj më parë, pas një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Prizrenit kushtuar gjendjes së rënduar në arsimin prizrenas, ku një numër shkollash janë me ushtrues detyre të drejtorit dhe të zv/drejtorit. /GazetaePrizrenit.net

Shikoni deklarimin e Haskukës për Susurin në video nga minuta 42:00, në linkun e mëposhtëm:

Lexo edhe:

Prizren: Dënohet ish-drejtori për Arsim i Haskukës, Skënder Susuri

Asnjë koment

Comments are closed.