09-12-2024

Rryma për veriun: A ka kompensim për milionat e shpenzuara deri më 2012?

Qytetarët e Kosovës e kanë humbur të drejtën e tyre ligjore për kompensim për faturat e rrymës që kanë paguar në emër të banorëve të katër komunave veriore, nga viti 1999 deri më 2012.

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për kthim borxhi ose dëme të shkaktuara mund të bëhen në mënyrë retrospektive për vetëm pesë vjet – në të kundërtën, afati ligjor për ushtrimin e kësaj të drejte skadon.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohojnë të njëjtën gjë, duke thënë se, bazuar në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, qytetarët e kanë humbur tashmë të drejtën e kompensimit për faturat e paguara për 13 vjet.

Nga 1 qershori i këtij viti do të nisë kompensimi i tyre vetëm për faturat e paguara nga viti 2012 deri më 2017 – proces ky që do të zgjasë deri në vitin 2030.

Ky vendim u mor muajin e kaluar, bazuar në një padi të ngritur nga Avokati i Popullit në vitin 2017.

Me kërkesë të gjykatës, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i obligoi shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike që t’i kompensojnë konsumatorët.

Pse qytetarët në veri s’e paguan rrymën?

Banorët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – shumica serbë – nuk paguan për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.

Refuzimi erdhi si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që operonin nën dirigjimin e Serbisë.

Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e paguan qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët merrnin fatura me rritje.

Nga 2017-ta e këndej – pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe padisë së ngritur nga Avokati i Popullit – përgjegjësia për pagesën kaloi tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT, ndërsa subvencione ndau edhe Qeveria e Kosovës.

Në vitin 2022, pastaj, Kosova dhe Serbia u dakorduan për zbatimin e një marrëveshjeje për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në praktikë, kjo marrëveshje nisi të zbatohej në fund të shkurtit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e mori vendimin për kompensim në vitin 2021, me të cilin kërkoi kthimin e mbi 40 milionë eurove te qytetarët e Kosovës.

Vendimi, pastaj, u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, ndërsa në mars të këtij viti edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Në një intervistë më 13 prill, kreu i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, nuk ka dha informacione konkrete se nga sa euro në muaj do të kompensohen konsumatorët për periudhën 2012-2017.

Kësaj pyetjeje nuk iu përgjigjën as kompanitë për furnizim me energji, përkatësisht inkasim të energjisë, KESCO dhe KEDS.

“Shkelje e të drejtave të njeriut”

Avokati i Popullit, Naim Qelaj thotë se vendimi i gjykatës për kompensimin e qytetarëve vetëm për pesë vjet u mor pasi që rasti për këtë çështje u ngrit në vitin 2017.

Me ligj, kujton ai, periudha retrospektive nuk mund të shkojë përtej pesë vjetësh.

Kësaj deklarate i bën jehonë edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Nëse flasim për borxhet përpara vitit 2012, sipas Ligjit për marrëdhënie të detyrimeve, tanimë kjo kërkesë është parashkruar [v.j. vjetruar] dhe nuk ka më mjet juridik për ta fituar në gjykatë. Në situatën në të cilën jemi, kjo e drejtë tanimë është e humbur”, thotë Shala.

Si Qelaj, ashtu edhe Shala konsiderojnë se faturimi i shpenzimeve të rrymës së shpenzuar në veri te qytetarët e pjesëve të tjera të vendit, ishte shkelje e të drejtave të njeriut.

“Në raport me shkeljen e të drejtave të qytetarëve, në këtë rast të konsumatorëve, shkeljet kanë ndodhur në çdo moment kur ka pasur faturim të kësaj natyre”, thotë Avokati i Popullit.

Shala shton se qytetarëve u janë shkelur, në fakt, disa të drejta – ajo për pronë, për shkak se kanë paguar shërbimet që nuk i kanë marrë, pastaj e drejta e barazisë para ligjit dhe e drejta e konsumatorëve.

“Të gjitha këto janë konstatuar nga tri shkallët e gjykatave dhe të gjitha këto më pas janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi të nxjerrë”, thotë Shala.

Çka thonë qytetarët?

Disa qytetarë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Prishtinë shprehen të zhgënjyer me faktin që s’do të kenë kompensim për faturat që paguan nga viti 1999 deri më 2012.

“Ti paguan për diçka që ke përdorur. Diçka që nuk ke përdorur, nuk ke nevojë ta paguash”, thotë Muhamet Ahmeti.

“Të më thuash se ‘unë ty po të sjell drejtësi’, e cila nuk është drejtësi, sigurisht se e ndjen veten të fyer. Kjo nuk është drejtësi”, thotë ai.

“Ata 13 vjet nuk zhbëhen kurrë”, thotë Drita Mengjiqi.

“Ne jemi të shkelur dhe të drejtat tona janë shkelur. Ne jemi të plaçkitur prej shtetit”, shprehet ajo.

Hanumshahe Ibrahimi thotë se shkelja e të drejtave të qytetarëve, në një mënyrë, është përligjur, sepse nuk ka as mundësi ankese.

“Unë nuk shoh adresë për ankesë. Gjykatat po shkojnë shumë ngadalë… unë nuk shoh adresë”, thotë ajo.

Në vitin 2012, zyrtarë të KEK-ut patën deklaruar pse borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në veri, që nga përfundimi i luftës e deri atëherë, vlerësohej të ishte mbi 100 milionë euro.

Vlera e përgjithshme e faturave vjetore për katër komunat atje, sipas të dhënave zyrtare, arrinte nga 8 deri në 10 milionë euro.

Asnjë koment

Comments are closed.