19-05-2024

Seancë gjyqësore për fatin e pasurisë së sekuestruar të “Burdushit” në vlerë 2.6 milion euro

Gjykata Themelore (GTH) në Prizren, për këtë javë ka caktuar seancën gjyqësore, në të cilën parashihet të vendoset rreth fatit të aseteve të sekuestruara të Hysri Peqanit, i njohur si mjeku popullor “Burdushi” që kap vlerën rreth 2.6 milionë euro, ndërsa mësohet se ai ka angazhuar për avokat, Tomë Gashin, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Burdushi vazhdon të qëndrojë nën masën e paraburgimit në qendrën përkatëse të Prizrenit, për shkak të dënimit për një vepër të mashtrimit, ndërkohë që ndaj tij zhvillohen hetime edhe për katër akuza të tjera të ngritura nga Prokuroria Themelore (PTH) në Prizren, përfshirë ato për shmangie nga tatimi, armëmbajtje ilegale, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe fajde.

Ndër mjetet e konfiskuara bëjnë pjesë edhe dy vetura të shtrenjta të prodhuara vitin që shkoi.

Në Gjykatë, Prokuroria ka bërë kërkesë për sekuestrim të përkohshëm deri në fund të procedurës (derisa të kryhen hetimet, të ngritët aktakuza, të mbahen seancat gjyqësore dhe të shpallet aktgjykimi).

I pyetur për këtë, Prokurori Petrit Kryeziu ka thënë se PTH është në pritje të caktimit të seancës gjyqësore,  në të cilën do të vendoset rreth kërkesës për sekuestrim të pasurisë së të pandehurit.  “Gjykata do të vendosë nëse duhet të mbetet deri në fund të gjykimit apo jo pasuria e sekuestruar përkohësisht”, tha ai.

Portali “GazetaePrizrenit.net” ka kuptuar ndërkohë, se më datën 10 janar 2019 është caktuar seanca përkatëse nga Departamenti për Krime të Rënda në GJTH-në e Prizrenit, ndërsa mësohet se “Burdushi” ka angazhuar avokatin Tomë Gashi.

Referuar PTH-së në Prizren, ngrirja e përkohshme e aseteve dhe sekuestrimi ndaj të pandehurit Peqani është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga GJTH në Prizren, ndërsa bëhet fjalë për:

-Objekt për afarizëm me sipërfaqe prej 530 m² –
-Ngastra kadastrale së bashku me objekt afarist me sipërfaqe të përgjithshme prej 95 m²;
– Dy shtëpi banimi me lokal afarist dhe me objekte të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 3270 m²;

– Dy shtëpi banimi me objekte të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 3256 m²; – Lokal me sipërfaqe prej 174 m²; – Lokal me sipërfaqe prej 92 m²;  pastaj:
– Veturë e tipit “Audi A7” viti i prodhimit 2018;
– Veturë e tipit “Land Rover” viti i prodhimit 2018;
– Veturë e tipit “Renault Megane” viti i prodhimit 2018;
– Veturë e tipit “VV Touran” viti i prodhimit 2016;
– Veturë e tipit “VË Golf” viti i prodhimit 2009.

Shuma e përgjithshme e këtyre aseteve arrin vlerën rreth 2.600.000 euro./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.