19-05-2024

Shpallen fituesit e tenderëve për ndërtimin e 20 kilometrave të rrugës Prizren -Tetovë, kostoja 30 milionë euro

Ministria e Infrasrtukturës ka shpallur kompanitë fituese të tenderit për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, të ndarë në tri lote. Vlera totale e tri kontratave është mbi 30 milionë euro, bëhet fjalë për 20 km e 350 metra, raporton Express.

Sipas studimit të fizibilitetit apo të vlerësimit për rrugën e ka bërë tashmë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI), rruga si tërësi do të jetë rreth 50 kilometra e gjatë dhe do të përfshijë një tunel prej 6.4 kilometrash. Kostoja totale e projektit parashihet të jetë rreth 200 milionë euro.

Në dosjen e tenderit për këtë rrugë, Ministria e Infrastrukturës ka rekomanduar për kontratë konsorciumet “4 A-M: PREMIUM BETON SH.P.K; GPG Company SH.P.K”, konsorciumin “Pricom SH.P.K; Mataf Insaat Ticaret A.S; FS C ING SH.P.K; Jaha Solar” dhe koncorsiumin “EUROKOS HOLDING SH.P.K; ALFA.i; EL-BAU SH.P.K; Agim Morina B.I; N.N.SH. WORLD MEDIUM: Adnan Bislimi B.I”.

Konsoriumit të parë i është dhënë kontrata për Lotin 1, në vlerë prej 8 milionë euro. Shuma më e lartë është për Lotin 2, që i është dhënë konsorciumit të dytë për 15 milionë e 605 mijë e 675 euro. Ndërkohë, për Lotin 3 kontrata është në vlerë 8 milionë e 346 mijë e 804 euro. Për Lotin 1 dhe 3, ka pasur edhe oferta më të lira se të konsorciumeve me të cilat është rekomanduar lidhja e kontratave.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate, sipas dosjes së tenderit, ka qenë 35 milionë euro. 8 milionë e 900 mijë euro parashikohej Loti 1, 17 milionë e 700 mijë euro Loti 2 dhe 8 milionë e 400 mijë Loti 3.

Loti 1 parashihet të përfundojë për 255 ditë pune, Loti 2 për 425 ditë pune dhe Loti 3 për 255 ditë pune.

Asnjë koment

Comments are closed.