24-11-2024

Si u bë shkrumb e hi një pjesë e fabrikës së grave të Krushës së Madhe

Po punonin në oborrin e fabrikës duke i përgatitur porositë që janë bërë nga blerësit. Por gratë e fabrikës së Krushës së Madhe një ditë më parë u shqetësuan nga zjarri që kaploi vendin e punës së tyre.

Zjarri kishte filluar nga çatia e fabrikës dhe kishte kapluar gjysmën e objektit. Punonjëset që gjendeshin aty në momentin kritik ishin munduar ta shuajnë zjarrin, por nuk ia kishin dalë. Ato menjëherë kishin telefonuar policinë dhe zjarrfikësit, të cilët kishin ardhur për të intervenuar.

Të shumtë ishin edhe banorët që kishin ardhur t’i ndihmonin punonjësit për shuarjën e zjarrit.

Artan Zenuni, menaxher i fabrikës ka treguar për Express se si kishte rrjedhur e tërë ngjarja.

“Sipas informative zjarri ka filluar të ënjtjen rreth orës 11:50. Fillimisht ishte përfshirë çatia. Punëtorët janë munduar ta shuajnë por nuk kanë mundur, menjëherë e kanë thirrur policinë dhe zjarrfikësit. Kanë ardhë edhe njerëz vullnetarë janë mbledhur diku rreth 50 persona për të ndihmuar, një pjesë e kanë shpëtuar por nuk kanë mundur të tërën”, ka treguar Zenuni.

Zenuni tha se nga zjarri që përfshiu fabrikën nuk ka pasur lëndime në njerëz, ndërkaq gratë që ishin prezentë në momentin kritik ishin stresuar nga kjo ngjarje.

“Fatmirësisht nuk ka pasur lëndime në njerëz, gjashtë gra kanë qenë prezente dhe janë stresuar, porn ë vendin e ngjarjes ka ardhë edhe ekipi mjekësor. Gjendja është stabilizuar”, tha Zenuni për Express.

Ai ka treguar se janë në proces të vlerësimit të dëmeve, ndërkaq ka theksuar se janë vizituar edhe nga zyrtarë të Komunës së Rahovecit.

“Jemi në proces të vlerësimit të dëmeve.  Sot ka ardhur një ekip nga komuna, kanë premtuar se do të na ndihmojnë, por fillimisht duhet të bëhet vlerësimi i dëmeve”, tha Zenuni.

Ani pse nuk dihet ende sa është totali i dëmeve, Zenuni ka treguar se përveç një pjese të objektit, janë djegur edhe disa nga produktet që ishin të gatshme për eksport jashtë Kosovës.

“Aty është djegë çatia, instalimi i rrymës, ka pasë lëndë të parë tiketa, kapakë, kripë sheqer, por edhe një pjesë stoqeve që kemi pasur ta dërgojmë në Zvicër, e tash duhet të fillojmë përsëri nga fillimi. Turshi ajvar, janë djegë komplet, pesë makina që e bëjnë ajvarin dhe makina e paketimit, janë dëmtuar pjesërisht”, ka treguar Zenuni.

Ai theksoi se dyshohet që djegia të ketë ardhur si pasojë e rrymës, por thotë se nuk mund të fajësohet askush, pasi instalimi i rrymës ka qenë brenda objektit dhe flaka ka ardhur nga çatia.

Aktualisht në fabrikën në Krushë të Madhe punojnë 60 persona, siç ka treguar Zenuni disa janë të përhershëm e disa sezonalë. Po ashtu janë edhe 70 fermerë me të cilët fabrika ka lidhur kontrata për punë.

Ndërkaq edhe pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri, gratë e Krushës nuk e kanë ndalur punën e tyre. Ato shiheshin në oborrin e fabrikës duke i kryer punët e tyre për të prodhuar ajvar e turshi.

E për zjarrin që ka përfshirë fabrikën në Krushë të Madhe ka raportuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

“Fshati Krushë e Madhe, Rahovec 05.09.2019 – 11:58. Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se është përfshirë nga zjarri fabrika për përpunimin e specave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar”, theksohet ne raportin e policisë.

Gratë e Krushës së Madhe kanë themeluar fabrikën që nga viti 2005. Lufta e vitit 1999 në Kosovë, këto gra i la të veja. Nga Krusha e Madhe u vranë mbi 220 burra, duke lënë kështu pas vetës gratë dhe fëmijët./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.