Sllovenia po u bën teste anti-COVID bashkëatdhetarëve gjatë kthimit, pritjet s’kanë të ndalur
Bashkëatdhetarët po përballen me pritje të gjata gjatë kthimit në vendet ku ata punojnë.
Pika kufitare më e ngarkuara është ajo e kalimit nga Kroacia për në Slloveni.
IndeksOnline ka pasqyruar këtë gjendje përmes pamjeve, derisa kjo po ndodhë për shkak të testeve COVID-19 që janë duke u kryer nga ana e shtetit slloven për shtetasit e tyre.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Sllovenisë më datë 31 dhjetor 2020 ka marrë disa vendime në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 duke përfshirë edhe aspektet që lidhen me hyrjen në Republikën e Sllovenisë.
Sipas vendimit të fundit, personat që vijnë nga vendet në listën e kuqe (ku gjenden të gjitha vendet e rajonit dhe Kosova) dërgohen në karantinë nëse nuk paraqesin një rezultat negativ të testit PCR. Ai nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë nga koha e marrjes së strishos, por nëse nuk tregohet koha e strishos, atëherë nga koha e rezultatit të testit negativ. Do të merren në konsideratë vetëm testet PCR të kryera në një shtet anëtar të BE-së ose të Zonës Schengen.
Nga 2 Janari 2021, megjithatë, testimi i shpejtë me antigjen do të mundësohet në disa vendkalime kufitare.
Nëse një person që vjen nga një vend i listës së kuqe dhe hyn në kufirin e jashtëm të Schengenit dhe nuk paraqet një test negativ PCR ose nuk bën pjesë në asnjë nga 12 përjashtimet, ai ose ajo mund të hyjë vetëm në pikën e kalimit kufitar ku sigurohen kushtet për testimin e shpejtë të antigjenit.