Sqarim për reagimin pa fakte të Drejtorisë së Arsimit në Prizren ndaj një shkrimi të “Gazetës së Prizrenit”
Portali “Gazeta e Prizrenit” e sheh të arsyeshme të sqarojë lexuesit lidhur me një reagim të Drejtorisë së Arsimit në Prizren ndaj shkrimit “Skandalet në arsimin prizrenas, ish-zv/drejtorët e shkollave marrin paga pa punuar”, në të cilin DKA-ja në vend se të ofronte fakte, të cilat pa dyshim se do t’i botojë portali, ka tentuar të përdor taktikën “sulmi është mbrojtja më e mirë”.
Me këtë rast, portali fillimisht parashtron pyetjen se përse reagimi i Komunës është bërë me vonesë prej dy ditësh pas botimit të artikullit, kur dihet se komuna dhe kryetari Mytaher Haskuka ka të angazhuar një duzinë njerëzish, në sektorin për informim dhe në faqet e propagandës së tyre nëpër rrjete sociale?!
Ashtu edhe siç ka informuar në artikullin përkatës, “Gazeta e Prizrenit” sqaron se para botimit të shkrimit (28.10.2020), sipas rregullit përmes Zyrës për Informim (ZI) pranë Komunës së Prizrenit, portali ka kërkuar sqarime konkrete nga DKA, por përkundër pritjes dy javore, nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje, për dallim nga rasti kur është pyetur për të infektuarit me Covid në shkolla, kur përgjigja ka ardhur brenda ditës.
Do theksuar se madje, njëri nga të apostrofuarit në shkrimin e portalit është sistemuar tek pas dërgimit të pyetjes sonë, (12 tetor), që lë të kuptohet se pikërisht një paralajmërim i tillë e ka vënë në lëvizje DKA-në.
Ja dëshmia me datën e konfirmimit për pranimin e pyetjes nga ZI pranë Komunës:
Pa dashur të zgjatemi dhe për hir të së vërtetës për opinionin, portali “Gazeta e Prizrenit”, edhe një herë ia kërkon këto fakte Drejtorisë së Arsimit, pasi në këtë formë edhe do të demantohej shkrimi i portalit. Në rast se ato ekzistojnë, patjetër që me kënaqësi do t’i botojmë:
- Kur kanë skaduar kontratat e ish-zëvendësdrejtorëve dhe të ish-drejtorëve?
- Çfarë dokumenti posedojnë ata, deri në vendimin për largim nga pozita menaxheriale?
- A mund të na ofrohen kontratat e sistemimit të tyre dhe kohën kur janë lëshuar ato?
- Listën e të gjithë ish-drejtorëve dhe zv.drejtorëve të cilëve u ka skaduar kontrata dhe dëshminë nëse është vepruar njësoj ndaj të gjithëve?
- Në cilat shkolla janë sistemuar të përmendurit në artikull dhe kur?
- Si dëshmi më të mirë, a mund ta publikoni listën e pagave të muajit tetor për shkollat e përmendura,
pasi kemi fakte se edhe për këtë muaj ka që janë paguar në këtë formë, ndonëse vendimet për ndërprerje të pozitës i kanë në korrik?
Në fund sqarojmë se reagimet e tilla, pa kurrfarë argumentesh nga DKA-ja, duke tentuar për ta vënë në lajthitje lexuesin, na japin kurajo për të vazhduar me informimin e pavarur, pavarësisht se e vërteta nuk i konvenon pushtetit.
Ndërkaq, rreth asaj se çfarë është gjendja në arsimin prizrenas këto tri vitet e fundit, më së miri tregon e dhëna se janë emëruar tre drejtorë të DKA-së, pastaj vitin e kaluar për herë të parë pas luftës, 1 Shtatori e ka gjetur Prizrenin pa drejtor të Arsimit, derisa Kuvendi Komunal ka mbajtur së paku tri seanca të jashtëzakonshme, kushtuar gjendjes në këtë sektor, apo më shumë se çdo herë tjetër për një kohë kaq të shkurtër.
Lexoni edhe:
Prizreni me performancë të dobët për Arsimin parauniversitar (Dokument)
Rrena e kryetarit Haskuka rreth dënimit të ish-drejtorit të tij për Arsim, Skënder Susurit (dok)
Skandalet në arsimin prizrenas, ish-zv.drejtorët e shkollave marrin paga pa punuar
Lexo edhe: