03-12-2024

“Ura e Dashurisë” fituese e “Zambakut të Prizrenit 2019”

Kënga “Ura e Dashurisë” interpretuar nga Elizabeta Krasniqi & Ilir Baxhaku, është fituese e edicionit të 30-të të festivalit “Zambaku i Prizrenit”, i cili u mbyll mbrëmë, e për të cilin janë hedhur kritika e dyshime për mungesë transparence.

Në kopshtin e kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, mbrëmjen e të shtunës u mbajt edicioni jubilar i këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

Në këtë edicion u paraqitën 16 këngë, të cilat garuan për çmimet tradicionale të festivalit.

Çmimi i parë i takoi këngës “Lule Lule”, kënduar nga Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj, autor Nexhat Macula, teksti Shkodran Tolaj, orkestrimi Riza Dolaku, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Fotografia e Zambaku i Prizrenit

Çmimin e dytë e fitoi Rovena Dilo me “Do të çmend”, ndërsa të tretin “Ura e Dashurisë”,  teksti i të cilës shkruar nga Musa Bushrani edhe u vlerësua si më i miri.

Festivali është realizuar nga Këshilli Organizativ, nën patronatin e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Ndërkaq, organizimi i këtij edicioni të “Zambakut” , që në fazën përgatitore është karakterizuar me dyshime për mungesë transparence rreth kostos së pjesës artistike dhe asaj teknike, për të cilat nga buxheti komunal janë ndarë rreth 60 mijë euro.

Për herë të parë këtë vit, është njoftuar edhe për një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit Ehat Oreshka, dhe Besim Berishës, nga këshilli organizativ.

Edhe pse festivali është mbajtur vit pas viti, që nga krijimi i tij, viti i kaluar (2018) e gjeti pa një organizim të tillë. Për këtë edhe pat reaguar opozita në Prizren, AAK e PDK, me kërkesën e të cilave një vit më parë u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal.

Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Përmes tij janë afirmuar mjaft emra të këtij zhanri të muzikës. / GazetaePrizrenit.net /

Fotografia e Zambaku i Prizrenit

P.S:  Fotot nga faqja në ”facebook” e festivalit.

Asnjë koment

Comments are closed.