07-05-2024

Veseli tash paralajmëron largimin e atyre që e përdorin PDK’në për interesa personale

Para disa javësh Kadri Veseli kishte premtuar se do të largoheshin të korruptuarit nga PDK’ja. Deri më tash s’është larguar askush. Ndërsa, sot, Veseli ka thënë se kushdo që e përdor partinë për interesa personale do të përjashtohet nga PDK’ja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po viziton degët e PDK-së në hapje të procesit të brendshëm zgjedhor, duke përcjell mesazhin se partia që ai drejton mirëpret kuadrot e reja që duan t’i bashkohen vizionit për zhvillimin e vendit.

Lideri i PDK-së ka vizituar strukturat e degëve në Kaçanik, Shtime, Malishevë, Rahovec e Gjakovë, ku është pritur nga qindra aktivistë e zyrtarë të PDK-së, para të cilëve ka thënë se PDK po nis një rrugëtim të ri me orientime të qarta për atë se çfarë duhet bërë më shumë dhe më mirë për vendin.

“I kemi vënë vetes qëllim transformimin ekonomik të Kosovës dhe modernizimin e shoqërisë sonë. Kjo është Dekada e Re. Është mision dhe shtytje për përmirësimin e jetës së secilit qytetar të vendit tonë”, ka thënë ai.

Veseli ka kërkuar nga strukturat e partisë që t’i afrojnë dhe mbështesin njerëzit e mirë e profesionistë, duke konstatuar se forcimi i mëtejmë i PDK-së është forcim dhe zhvillim i Kosovës.

“PDK është e hapur për të gjithë njerëzit e mirë që kanë vullnet dhe duan të kontribuojnë për zhvillimin e vendit. Ndërsa, ata njerëz që duan ta përdorin PDK-në për interesa të veta personale, nuk do të kenë vend në partinë tonë. Unë do të jem gjithë kohës në terren për t’i përkrahur njerëzit që duan të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve dhe vendit”, ka thënë Veseli, transmeton Express.

Veseli ka pohuar se PDK, në procesin zgjedhor të Rinisë Demokratike, ka dëshmuar se është forca më e madhe me besimin qytetar, duke anëtarësuar në organizatën e saj rinore rreth 20 mijë të rinj, të shkolluar dhe me vullnet për t’u angazhuar për të mirën e vendit.

Lideri i PDK-së, po ashtu, ka deklaruar se në fund të procesit zgjedhor PDK do të rikonfirmohet si partia më fuqishme, më e organizuar dhe e shtrirë në të gjitha lagjet, fshatrat dhe qytetet e Kosovës./Express/

 

Asnjë koment

Comments are closed.