25-04-2024

151-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës, ndër figurat më kryesore në letërsinë shqipe

Më 23 tetor 1871, u lind Gjergj Fishta, poet, dramaturg, prozator, publicist, klerik i lartë, përkthyes e politikan.

Ai u lind në Fishtë të Zadrimës, me emrin e pagëzimit Zef, i biri Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit nga Kotrri më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre.

Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.

Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi.

Më 15 shkurt 1907, me Shtjefën Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare.

Ai kishte përfaqësuar shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip.

Pas dekadës së dytë të shekullit 20, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për një gjysmëshekull, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje sa ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”.

Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste.

Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin.

Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike.

Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës. Ka botuar 9 tekste dramatike.

Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër

Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumanshme. Ndër botimet kryesore përmenden: “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), “Lahuta e Malcis” (1941) etj. /Klankosova.tv

Asnjë koment

Comments are closed.