Haradinaj në Prizren: Shkollimi i të rinjve, bazuar në nevojat e tregut europian

Fëmijët e Prizrenit janë me fat që e kanë një shkollë si ‘Loyola’ dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, – tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një vizite pune që i bëri gjimnazit “Loyola” dhe ku u prezantua projekti i ri “Shkolla e Lartë Profesionale ‘Loyola”, projekt i cili parashikohet të jetë pjesë e Parkut Inovativ Trajnues në Prizren.

Haradinaj, tha se projekti i një Shkolle të Lartë në Kosovë është një ngjarje e re, është koncept real i jetës, i tregut dhe se ka besim në gjimnazin “Loyola” për angazhimin e saj në arsim për të rinjtë kosovarë.

“Ky është investimi më i mirë që mund të bëjmë, është shkollimi i duhur dhe cilësor i fëmijëve tanë dhe ky është edhe orientimi ynë si Qeveri, për arsimimin e të rinjve. Çdo përpjekje që e ofron këtë, do të marrë mbështetjen institucionale”, – ka shtuar Kryeministri Haradinaj duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës që të ndihmojnë këtë institucion arsimor.

“Qëllimi është që të aftësohen të rinjtë tanë për tregun e punës, që të avancojnë si në shtete tjera të zhvilluara, si Gjermani, Austri apo diku tjetër”, – tha Kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar faktin se si kjo shkollë me mësimdhënës kosovarë dhe nxënës kosovarë ka sukses të jashtëzakonshëm në arsimimin e të rinjve tanë.

Duke pasur rastin të shohë nga afër planet e kësaj shkolle në projektin e ri për Shkollën e Lartë Profesionale “Loyola” brenda Parkut Inovativ dhe Trajnues në Prizren, Kryeministri Haradinaj tha se një institucion i tillë, do ta ketë mbështetjen e pa rezervë të të gjitha institucioneve, në mënyrë që projekte të tilla me këtë synim të ketë edhe më shumë në të ardhmen.

“Ky është modeli që duhet ndjekur”, – tha Kryeministri Haradinaj.

Gjatë prezantimit të projektit për shkollën e re janë paraqitur udhëzimet se si kjo shkollë mekatronike mund të funksionojë në mënyrën më të mirë, duke iu përshtatur tregut të punës, arritja e së cilës mund të bëhet përmes lidhjes nxënës-shkollë-kompani.

Pjesë e prezantimit ishin edhe kompani kosovare të cilat paraqiten nevojat e tyre konkrete për punësim.

Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, drejtori i Doganës, Bahri Berisha, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka si dhe përfaqësues tjerë institucionalë dhe të Odave Ekonomike./ ATA