30-07-2021

Aeroporti i Rinasit i rikthehet sot normalitetit pas bllokimit të fluturimeve

Sot në orën 9:00 Aeroporti i Rinasit do t’i rikthehet normalitetit, pas krizës së krijuar nga bllokimi i fluturimeve për shakak të revoltës së punonjësve të “AlbControl”.

Lajmin e rikthimit në normalitet e ka dhënë orët e para të mëngjesit të sotëm ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ku ka informuar për rinisjen e fluturimeve komerciale.

“Duke filluar nga ora 09:00 e ditës së sotme, operimet në aeroportin e Rinasit dhe në hapësirën ajrore shqiptare kthehen në normalitet“, ka shkruar Balluku.

Rikthimi i normalitet në Rinas vjen pasi në vend kanë ardhur kontrollorë nga Turqia, ndërkohë që një pjesë e kontrollorëve që lanë punën janë rikthyer, pas thirrjes së bërë nga kreu i qeverisë dhe Ministrja Belinda Balluku.

Bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit nisi mëngjesin e së mërkurës, për shkak të revoltës së punonjësve të trafikut ajror të kompanisë “AlbControl” në funksion të aeroportit, ku ata kërkonin plotësimin e disa prej kushteve.

Ditën e djeshme nisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore, ku erdhën edhe një pjesë tjetër e vaksinave kineze, Sinovac.

Nga e gjithë situata e krijuar, janë ndaluar me urdhër nga Porkuroria e Tiranës, kreu i sindikatës, Armando Fezga, përgjegjësja e turnit Flora Ndreca dhe kontrollori Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga “AlbControl”,si nxitës të bllokimit të punës./T.Ch

Asnjë koment

Comments are closed.