Asamblisti nga Prizreni në Brçko të Bosnjës, Qazim Daqaj kërkon që BeH ta njohë Republikën e Kosovës
“Bosnja dhe Hercegovina duhet ta njohë Republikën e Kosovës me ose pa Milorad Dodikun”, tha në një deklaratë për portalin boshnjak “Otisak.ba” përfaqësuesi i pavarur i pakicës kombëtare shqiptare në Asamblenë e Distriktit Brçko të Bosnjës dhe Hercegovinës, Qazim Daqaj, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
Daqaj është nga Krajku i Hasit të Prizrenit, ndërsa punon prej disa dekada në Bonjë, ku drejton një biznes privat, ndërsa ka ndihmuar edhe gjatë luftës në këtë vend.
Ai ka thënë se ka kaluar kohë nga vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe se është koha që BiH ta njohë atë si shtet. Daqaj vuri në dukje se për udhëtimin e shtetasve të BiH në Kosovë nevojitet vizë, e cila krijon kosto shtesë për qytetarët e të dy vendeve.
“Ky është problemi më i madh. Si përfaqësues i pakicës kombëtare, unë personalisht i kam këto probleme. Ka shumë njerëz në Kosovë të cilët janë shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët nuk mund të vijnë në Bosnje dhe Hercegovinë pa viza në vendlindjen e tyre” ka thënë Daqaj, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.