Nëse në humbjen 4-1 ndaj Francës u cilësua si një nga lojtarët më të dobët në fushë duke u vlerësuar me notën 3, pas paraqitjes mbrësëlënëse ndaj Islandës ku mbajti shiritin e kapitenit në krah dhe shënoi golin e tij të parë me fanellën e kombëtares, shkodrani është përfshirë nga “France Football” në formacionin më të mirë të javës, pas raundit të 6-të të eliminatoreve të Europianit.

Revista franceze e ka vendosur Hysaj në krahun e djathtë të mbrojtes në skemën 4-1-4-1, duke bërë një përshkrim të shkurtër për paraqitjen e mbrojtësit të Napolit ndaj Islandës. “Në krahun e djathë, ne do të vendosim Elseid Hysajn, për aksionin e golit të tij të bukur ndaj Islandës dhe në përgjithësi për veprimet e tij në të dy fazat e lojës”, shkruan “France Football”.

Në 11-shen më të mirë të raundit të 6-të të ndeshjeve në grupe ka shumë emra të njohur ku spikasin Halstenberg i Gjermanisë, Barrela i Italisë, Sancho i Anglisë autor i dy golave në ndeshjen ndaj Kosovës, Mkhitaryan i Armenisë, Kevin De Bruyne i Belgjikës dhe Cristiano Ronaldo i cili ndaj Lituanisë ishte thjeshtë fantastik./rtk