Në fundvit fillon ndërtimi i autostradës së Dukagjinit

Ende pa përfunduar autostrada që lidh kryeqytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë, përkatësisht Prishtinën dhe Shkupin, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës paralajmërojnë se gjatë këtij viti pritet të nisë së ndërtuari edhe një autostradë tjetër.

Autostrada e re pritet të lidhë qytetet Istog- Pejë – Deçan- Gjakovë dhe Prizren, andaj ndryshe njihet edhe si “Autostrada e Dukagjinit”.

Ajo llogaritet të jetë ndër autostradat më të gjata në territorin e Kosovës, me 91 kilometra.

Për këtë projekt tashmë kanë filluar përgatitjet dhe thuhet se do të realizohet sipas kritereve dhe standardeve më të larta, duke i respektuar parametrat e autostradave moderne në Evropë.

Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për këtë projekt deri në muajin qershor pritet të përfundojnë debatet publike me qytetarët e komunave, nëpër të cilat kalon autostrada.

Kurse, në fund të vitit pritet që të fillojnë punimet për ndërtimin e saj.

Ai tregon se vlera e përafërt e këtij projekti, do të arrijë deri në një miliard euro, përfshirë këtu edhe shpronësimet e nevojshme, vlerë kjo që, sipas Kadriut, pritet të shfrytëzohet nga buxheti i Kosovës, pa huamarrje.

“Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ (Prishtinë – Shkup), përfundon shpejt, autostrada Prishtinë – Gjilan nuk ka kosto të madhe financiare. Kështu që përqendrimi i buxhetit të Republikës së Kosovës do të jetë në autostradën e Dukagjinit”, thotë Kadriu.

Aktualisht, në proces të ndërtimit është autostrada Prishtinë – Gjilan – Konçul, që lidh Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës. Punimet në autostradën me gjatësi prej 22.6 kilometrash kanë nisur në muajin prill të vitit të kaluar, ndërsa kohëzgjatja e realizimit është 30 muaj. Rreth 87 milionë euro llogaritet se do t’i kushtojë buxhetit kjo autostradë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më herët ka thënë se deri në vitin 2023 asnjë qytet i Kosovës nuk do të mbetet pa lidhje me autostradë.