23-06-2021

Polici i akuzuar, Habib Morina thotë se të dyshuarin e ka liruar me urdhër të prokurorit

Megjithëse, sot ka qenë dita e tretë që kur administrata e Gjykatës Themelore në Prizren, ka hyrë në grevë me kërkesë për rritje të pagave, seanca gjyqësore kundër togerit të Policisë së Kosovës, Habib Morina, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është mbajtur me arsye se është lëndë me prioritet, sipas vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Mbajtja e kësaj seance është bërë e mundur edhe falë bashkëpunimit të njërit prej praktikantëve të kësaj gjykate, i cili ka pranuar që të ndihmojë në mënyrë vullnetare për të mbajtur procesin e gjykimit.

Gjatë kësaj seance të rigjykimit të të akuzuarit Morina, i njëjti ka dhënë mbrojtjen e tij, duke deklaruar se mbetet pranë deklaratës së dhënë gjatë gjykimit të parë, ndërsa deklaratën në prokurori nuk e ka mbështetur.

I akuzuari ka thënë se gjatë deklaratës në prokurori ka thënë se në natën kritike ka biseduar me prokurorin kujdestar i cili, sipas zërit, i është dukur si prokurori Beqë Shala, ndërsa në proces është shënuar sikur ai ka thënë “se kam folur me prokurorin Beqë Shala”, andaj ai ka thënë nuk qëndron pas asaj deklarate.

I pandehuri tutje ka thënë se lirimin e të dyshuarit për vjedhje, e ka bërë pasi që sipas tij, prokurori kujdestar i ka thënë që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa të gjitha veprimet tjera, thotë se i ka marrë konform kompetencave që ka pasur si shef i ndërrimit.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, sipas kërkesës së të akuzuarit dhe prokurorit të çështjes, Mehdi Sefa, të cilët kanë kërkuar kohë për përgatitjen e fjalëve të tyre përfundimtare, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor dhe vazhdimin e ka caktuar për 20 korrik 2018, me fillim në ora 14:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzon se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material Miftar Papës, ka lejuar që i njëjti të largohet me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Nuhi Bytyqit.

Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë, gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin.

Përndryshe, i akuzuari Habib Morina, më 29 shtator 2017, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe ishte dënuar me dy mijë euro gjobë.

Fillimisht, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, të akuzuarin Morina e kishte dënuar me burgim efektiv prej gjashtë muajsh, por me kërkesë të të akuzuarit, dënimi me burgim prej gjashtë muajsh i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej dy mijë euro.

Mirëpo, Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së të akuzuarit Morina, më 30.01.2018, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin ta kthejë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë është në kundërshtim me përshkrimin faktik nga dispozitivi i aktakuzës, sepse në aktakuzë nuk flitet për mos zbatim të urdhrave nga togeri Afrim Sylaj, i cili po ashtu nuk është dëgjuar për të vërtetuar gjendjen faktike.

Apeli po ashtu ka thënë se për të vërtetuar se i akuzuari ka keqpërdorur pozitën e ti zyrtare, duhet të dëshmohet nëse ka pasur apo jo të drejtë të ndërmarrë veprimet që i ka ndërmarrë në natën kritike apo cilat janë veprimet që nuk i ka ndërmarrë, duke i ndërlidhur  me dashjen e tij për të përfituar dikush apo për të dëmtuar dikë./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.