26-04-2024

Pse po kontestohet zgjedhja rektorit të ri të Universitetit Publik të Prizrenit?

Ismet Temaj është zgjedhur sot rektor i Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”, por ligjshmërinë e procesit e ka kontestuar Artan Nimani, anëtari i Këshillit Drejtues të këtij universiteti, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Ai derisa e ka vlerësuar si valid rrethin e parë të votimit, e ka kontestuar të dytin, duke thënë se nuk ka pasur kuorum, pasi sipas tij është dashur të jenë 5 anëtarë e jo 4, sa morën pjesë në votim.

“Nuk po e kontestoj vlefshmërinë e votës, por zgjedhja në këtë formë është një ndërhyrje partiake, përkatësisht e Nismës”, ka thënë ai duke sqaruar se sipas statutit,  në votim është dashur të jetë sekretari i përgjithshëm i universitetit, Burim Berisha, që nuk ka qenë.

Në rrethin e parë doli ky rezultat: për Vatajn (rektor) ishin 3 vota, Temajn  4, derisa Berisha e Millaku nuk morën vota. Pasi asnjëri i konkurrentëve nuk mori 2/3 e votave të nevojshme u zhvillua rrethi i dytë, që rezultoi me fitoren e Temajt, i cili mori 4 vota, kundrejt Vatës, që nuk mori asnjë.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Dr. Bedri Muhadri ndërkaq e ka vlerësuar si të pabazuar ankesën e prof. Nimanit. Përgjigjen e tij e kemi dhënë në artikullin paraprak, që ka të bëjë me zgjedhjen.

Ai ka sqaruar se të pakënaqurit mund të parashtrojnë ankesë.

Rektori ka një mandat 4 vjeçar.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.