19-04-2024

Qeveria miraton ndryshimet në Ligjin për Zyrtarët Publikë

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike të mbajtur të premten, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Tetë muaj më parë Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar disa nene të këtij ligji.

Ai është dërguar për vlerësim në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin vlerësuar se është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.

Për këtë ligj patën reaguar edhe nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim me disa dispozita të tij.

“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”, thuhej në njoftimin e BE-së.

Në mbledhjen elektronike është emëruar edhe komisioni ad-hoc për vlerësimin profesional për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë Antidoping: Xheladin Krasniqi, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues; Fadile Dyla, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare; Anita Kalanderi, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, anëtare; Taulant Balaj, udhëheqës i Divizionit për Burime Njerëzore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar; Gëzim Murseli, ekspert i jashtëm, anëtar.

Asnjë koment

Comments are closed.