Shahin Bush refuzon të flas për pretendimet e Esad Shalës
Emri i Shahin Bush mori vëmendje publike kur u përmend si i dyshuar për krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një video-incizimi të publikuar, Esat Shala, pretendon se ky person nga komuniteti turk, ka qenë i përfshirë në krime lufte në zonën e Krushës dhe rrethinën e Prizrenit, duke e lidhur atë me grupin e udhëhequr nga krimineli serb i njohur si “Arkani”.

Përballë këtyre pretendimeve, Televizioni Dukagjini kërkoi qëndrimin e Shahin Bushit, por ai zgjodhi të mos komentojë.
“Për t’i dhënë mundesinë të paraqes qëndrimin e tij lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi të, ekipi i TV Dukagjinit trokiti në derën e shtëpisë se Shahin Bushit. Por, sapo kuptoi që jemi media, refuzoi të jepte çfarëdo deklarimi, mbylli derën dhe u largua pa dhënë asnjë koment”.

Ndonëse për media u tregua i mbyllur, Bushi më 24 korrik ishte paraqitur në stacionin policor në Prizren, ku dorëzoi një ankesë ndaj Esat Shalës, duke pretenduar se ndihet i kanosur nga deklaratat publike që, sipas tij, ishin bërë pa fakte.
Pas kësaj ankese, Policia e Prizrenit e intervistoi Shalën në cilësinë e të dyshuarit dhe hapi rast për këtë çështje.
Ndërkohë, në Krushë të Madhe, fshatin që përmendet në pretendimet e Shalës, emri Shahin Bush nuk u rezulton shumë i njohur për banorët.

Në emër të tyre foli, Xhelal Zeqiri, i cili thotë se nuk u besojnë deklaratave të Shalës.
“Dashta me dëshmu se si banorë të Krushës së Madhe, e kemi përjetu një dhimbje të jashtëzakonshme gjatë luftës, dhe nuk i besojmë individëve, që kanë dalë tulifar njeri dhe po na akuzojnë, ne i besojmë institucioneve, dhe e kemi lënë në dorë të tyre”, tha Zeqiri.
Megjithatë, Shala insiston se disponon prova, që sipas tij, e lidhin Shahin Bushin me grupin e udhëhequr nga krimineli serb.

“Normal na i kemi të gjitha faktet, i kemi videot para masakrës, i kemi edhe videot pasi që ka qëndru ai grup dy muaj në atë shtëpi. Nga ajo shtëpi, në mur shifen disa emra. Kemi dëshmi të mjaftueshme, kemi dëshmitarë, hetuesia i ka dëshmitë që ky ka qenë pjesëmarrës i gjenocidit serb në atë kohë. Kemi punu, unë me Besnik Krasniqin, kemi punu edhe me disa hetues të shtetit”, u shpreh Shala.
PSRK tha se në këtë pikë nuk mund të jap detaje nëse ndonjë person është intervistuar, si dhe nuk dha informacione mbi kallëzimet penale, informacionet apo referimet e pranuara, për aq kohë sa publikimi i tyre mund të cenojë integritetin e procedurës.


