Sizmologu grek: Fat për Shqipërinë që tërmeti epiqendrën e pati në det, nuk duhet të kishte dëme
Drejtor i Observatorit Kombëtar të Gjeodinamikës në Athinë, Akis Tselentis Akis Tselentis u bë i njohur në vendin tonë, pak muaj më parë, kur Presidenti ynë Ilir Meta e citoi për parashikimin e dhënë në paralajmërimin se disa tërmete më të fuqishme se ai i Athinës do të godisnin Ballkanin.
Tselentis, në një lidhje telefonike për Report TV një ditë pas tërmetit që preku vendin tonë, tha sot se ky tërmet nuk ishte i fortë, ndërsa shtoi se dëmet e shkaktuara erdhën për shkak të cilësisë së ndërtimit.
“Tërmeti i djeshëm kryesor nuk ishte një tërmet i fuqishëm, por mesatar. Duke parë që edhe një tërmet i tillë ka shkaktuar dëme, mendoj se kjo ka ardhur për shkak të kualitetit të ndërtimit”, – u shpreh Tselentis.
Sipas tij energjia e tërmetit u ul për shkak se epiqendra ishte në det dhe jo në tokë.
“Fatmirësisht epiqendra e këtij tërmeti ishte në det dhe kjo ishte një gjë e mirë pasi kjo e ul energjinë e goditjes. Shqipëria është në një zonë sizmike ku lëvizin pllakat tektonike dhe mendoj se ishte një gjë e mirë që ky tërmet ndodhi në det. Tërmetet mund të ndodhin por s’mund t’i parashikojmë, vetëm nuk duhet të harrojmë kurrë rrezikun prej tyre”, – tha z.Tselentis.
I pyetur për pasgoditjet dhe rrezikun e tyre, profesor Tselentis shprehet se pas-lëkundje pas tërmetit fillestar do të ketë në vijim, por ato do të jenë në magnitudë më të ulët, duke shtuar se kjo është një dukuri që ndodh pas tërmeteve të mëdha.
“Pasgoditjet nga tërmeti do të vijojnë për një farë kohe. Pas-lëkundjet mund të ndodhin edhe pas një muaji nga tërmeti i parë. I vetmi shqetësim mund të jetë tek ndërtesat që janë prekur nga goditja e parë e fortë dhe ato mund të jenë më të ekspozuara ndaj pasgoditjeve”, – tha Tselentis.
Ai përmendi faktin se nga një tërmet i tillë që ra në Shqipëri nuk duhet të kishte fare dëme dhe shtoi se në të ardhmen, që të mos ketë dëme të tjera “duhet të rishikohen procedurat dhe kodet e ndërtimit të bëhen më strikte për të ulur rrezikun nga tërmetet”.