22-11-2024

Varreza masive: Vijojnë gërmimet në Serbi për shqiptarët e vrarë gjatë luftës së Kosovës

Shtatë kilometra larg kufirit të Jarinjës mes Kosovës dhe Serbisë, tek gurorja “Kishevak” në Komunën e Rashkës, autoritetet serbe kanë filluar gërmimet për gjetjen e trupave mortore që dyshohen të jenë të shqiptarëve civil nga lufta e fundit në Kosovë.

Numri i personave të varrosur dyshohet të jetë rreth 17, nga dy fshatra të Kosovës.

I gjithë procesi po mbikëqyret nga pala kosovare dhe ajo ndërkombëtare, për çka fillimisht ishte dashur një angazhim 5 vjeçar për lokalizimin e mbetjeve mortore.

Kryetari i delegacionit të Kosovës për të pagjeturit, Ibrahim Makolli tha se kjo strategji e ndjekur nga ish presidenti i Jugosllavisë, tregon tendencën për fshehjen e krimeve.

Në lokalizimin e mbetjeve mortore vendimtare u tha të kenë qenë imazhet ajrore të asaj kohe që tregonin ndryshimin gjendjes së gurores.

“ Në fund të vitit 2019 duke ndjekur sugjerimet e ekspertëve të forenzikës, komiteti internacional i kryqit të kuq në emër të grupit punues ka kërkuar dhe siguruar imazhet ajrore të cilat kanë qenë vendimtare për të përcaktuar disa javë më parë lokacionin e saktë të varrezës. Në javët në vijim pas një pune të pandalshme të ekipeve të forenzikës shume familje më në fund do të mbyllin një kapitull shumë të errët të jetës së tyre pas shumë vitesh pritje në agoni.”

Përfaqësuesja e UNDP-së në Serbi, tha se gjetja e zhdukurve është obligim i çdo shteti.

“Ne kemi qenë dëshmitar shpesh herë se si familjet e të zhdukurve në të gjitha anët qofshin shqiptarë apo serbë, ishin në gjendje që së bashku të ndanin hidhërimin e tyre dhe t’u bënin thirrje autoriteteve për gjetjen e eshtrave. Andaj vendosja e së vërtetës për të zhdukurit që mund të përfshijnë krime të mundshme të luftës është obligim i çdo shteti, me ligjet kombëtare apo ndërkombëtare”.

“Gurorja “Kishevak” në Komunën e Rashkës në Serbi është lokacioni i pestë në të cilin po nisin gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të trupave civilë shqiptarë.

Deri tani nga katër lokacione të tjera ku janë zhvilluar gërmimet janë gjetur 941 trupa të civilëve shqiptarë, derisa janë në kërkim edhe të mbi 1600 trupave të tjerë të cilët ende nuk dihet se ku janë”./Top Channel

Asnjë koment

Comments are closed.