ZKA gjen një mori shkeljesh në institucione publike, 80 raste dërgohen në prokurori

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka renditur mangësitë në procedurat e prokurimit publik, përkatësisht vlerësimin e ofertave, shpërblimin me kontratë për operatorin ekonomik pa i plotësuar kriteret, përdorimin e referencave ndaj një marke brendi të caktuar pa përdorimin e shprehjes ekuivalent, e shumë mangësi të tjera.

“Mangësi në përgatitjen e para masës në projektet kapitale. Moszbatimi i procedurave të prokurimit publik me rastin e angazhimit të punonjësve për shërbime të veçanta. Ndryshime të ndarjeve buxhetore për projekte kapitale pa miratim të Kuvendit Komunal. Lidhja e 6 kontratave në vlerë prej 50 mijë euro për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese nga mediat e portalet pa procedura të prokurimit publik. Vonesa në implementimin e projekteve kapitale dhe mos zbatimin e ndëshkimeve për vonesa. Mospagesa e faturave/obligimeve ndaj operatorëve ekonomik brenda afatit ligjor. Mungesa e monitorimit të subvencioneve të dhëna në fushën e bujqësisë. Përzgjedhja e OJQ-ve në kundërshtim me kriteret në Thirrjen Publike. Angazhimi i shërbimeve të auditimit nga auditori privat, për kundër faktit se ndërmarrja ishte subjekt i auditimit nga ZKA. Mospërditësimi i kontratave të të punësuarve, bazuar në vendimet e Bordit, për rritjen e pagës dhe vlerën e saktë të shujtës. Mbajtja e pozitave të rregullta me ushtrues detyre përtej afatit ligjor. Mos menaxhimi i kontratave përmes platformës së prokurimit elektronik (E-prokurimi). Moshartimi dhe përditësimi i rregulloreve sipas kërkesave ligjore për afarizmin e ndërmarrjes”, ka thënë Spanca.

Sipas saj, gjatë këtij sezoni auditues janë planifikuar 145 auditime dhe deri tani janë publikuar 24 raporte.
Sipas Spancës, edhe ndërmarrjet publike kanë shfaqur mangësi serioze në raportimin financiar./ER

