21-05-2024

Zymi i Hasit, dyfish më shumë kurbetçinj sesa banorë rezidentë

Po deshe të jesh më afër Pashtrikut dhe më afër historisë kombëtare, duke filluar që nga mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit e të tjerë, atëherë duhet të marrësh udhë për në Zym.

Zymi, në prag të kërshëndellave të shtunën e priti Skënderbeun me shikim ka lind dielli, për të thënë se këtu është dhe jetohet shqip. Atë ditë Zymi dukej i gjallëruar jo nga ardhja e atyre që kishin ardhur për ceremoni, por edhe për faktin se vetë ishin kthyer në Zym shumë zymjanë që jetojnë jashtë atdheut, por që kanë ardhur që të bashkëfrymojnë me shtatoren e Gjergj Kastriotit si vetëkontribut i tyre. Pikërisht në prag të kërshëndellave, heroi kombëtar, Gjergj KastriotiSkënderbeu, iu kthye origjinës. Zymi dukej ndryshe nga ditët tjera. Jo vetëm pse dita i ngjan ditëve pranverore, por për faktin se fshati ishte mbushur me shumë zymjanë.

Zymjanët janë të njohur edhe si argjendarë

Profesor Engjëll Kajtazi pohon për “Kosova Sot” se ditëve tjera Zymi bashkë me Karashëngjergjin i ka dy mijë banorë, kurse jo më pak se pesë mijë zymajnë jetojnë në kurbet.

“Gjergj Kastrioti i ka kthyer shumë zymjanë këtë ditë, që në prag të Krishtlindjeve të jenë këtu. Derisa traditat në mënyrë autoktone ende i ruajnë dasmat dhe ritet tjera”, tregon ai për gazetën. Kajtazi tregon se shkolla e Zymit i ka vetëm 150 nxënës. Rrugët e ngushta, me tokë gëlqerore, siç e përshkruajnë autorët vendës, çka sipas tyre i kishin dhënë Zymit një pamje të zymtë, nën hijen “olimpike” të Pashtrikut.

Deri atje nga fshati Gjonaj i ndan një rrugë gjarpërore, që haset vetëm jashtë Kosovës. Zymi i Hasit dikur ka qenë qendër lokale në Komunën e Prizrenit, tani përditë e më shumë po zbrazet nga banorët e shumtë që kishte dikur. Zeja e bukëpjekësit dhe nevoja për të ekzistuar i ka shtyrë zymjanët prej kohësh që të marrin rrugën e kurbetit. Por, tanimë zymjanët janë të njohur edhe si argjendarë e jo më pak edhe si hotelierë, anekënd Ballkanit e veçanërisht në Kroaci. Ata kryesisht janë vendosur në qytete të ndryshme të Kroacisë dhe Bosnjë Hercegovinës, ku dikur shkonin vetëm meshkujt, por tani ka ndryshuar, sepse në dekadat e fundit i kanë marrë me vete edhe familjet e tyre. Kjo ka bërë që numri i banorëve në këtë fshat rrëzë Pashtrikut të reduktohet gati në numër simbolik, baras me shtëpitë e ndërtuara.

Banorët më të shumtë, të moshuarit

“Ata pakë banorë që mund të takohen ditëve të rëndomta në Zym janë kryesisht të moshuar, apo aty- këtu ndonjë intelektual, i cili ka vendosur që deri në pension ta vazhdojë punën në ndonjë shkollë apo institucion ku punon. Dikur në këtë shkollë ishin mbi 800 nxënës, por tani fëmijët e Zymit janë të shpërndarë në shumë vende jashtë Kosovës dhe këtu vijnë vetëm atëherë kur i sjellin prindërit e tyre”, thotë profesor Kajtazi. Pas lufte në Zym është prezent një dukuri që na jep shpresë të gjithëve – ndërtimi i shtëpive të reja dhe shumë të bukura që po i ndërtojnë këtu kurbetçinjtë. “Nga paslufta janë ndërtuar mbi 200 shtëpi, në të cilat nuk jeton askush, por ato megjithëkëtë mbushen dhe gumëzhijnë nga zërat e fëmijëve”, është shprehur ai.

Zymi është një lokalitet i vogël në një cep të Kosovës, me një reliev të mrekullueshëm natyror, e me një kulturë të lashtë që ruhet, trashëgohet e kultivohet…Është Zymi i Hasit vend ku zhvilluan aktivitete atdhetare figura të shquara të kombit tonë, vend ku ruhen zakonet autoktone, vend i veshjeve karakteristike që nuk i kanë të tjerët. Vend i zejes së bukëpjekësit, vend i shumë ngjarjeve e aktiviteteve kulturore tregon Frrok Kristaj, njëri nga krijuesit dhe veprimtarët e hershëm të Zymit. Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, pohon se Zymi duhet të hyjë në hartën turistike.(Kosova Sot)

Asnjë koment

Comments are closed.