05-05-2024

50 euro shtesë gjithë punëtorët e sektorit publik, 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjithë punëtorët e sektorit publik do të marrin nga 50 euro shtesë në pagë deri ne fund të këtij viti shkaku i inflacionit në Kosovë. Ai po ashtu njoftoi se për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.

Shefi i Qeverisë ka thënë se këto mjete nuk po i ndajnë për shkak të grevës në arsim me arsyetimin se kërkesa e SBASHK-ut është absurde dhe iracionale.

Ai ka thënë se ndihma e shtetit po bëhet për gjithë të punësuarit e jo vetëm për një grup të caktuar.

Ai ka thënë se e gjithë ndihma që përfshinë edhe subvencionimin e energjisë së shpenzuar elektrike, pensionet, subvencionimi i rritjes së pagës së punëtorëve privatë, ndihma për studentë që në total do t’i kushtojë shtetit rreth 150 milionë euro.

“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, ka deklaruar Kurti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se për studentë do të ndahen nga 100 euro në nëntor derisa pagesat tjera do të fillojnë nga muaji shtator dhe do të preken rreth 300 mijë familje nga pakoja vjeshtore kundër inflacionit.

“Pagesa direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”, ka thënë Kurti, në një konferencë për media, të shtunën, bashkë me Ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Muratin.

Shefi i Qeverisë ka thënë se nga 100 euro shtesë do t’iu ndahen edhe pensionistëve për këtë muaj sikurse dyfishimi njëmujor i asistencës sociale.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se kush kursen energji elektrike do të subvencionohet derisa matja e kursimit do të llogaritet me shpenzimet e një viti paraprak.

“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë vitin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë Hekuran Murati./BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.