23-04-2024

Babë e bir dënohen me 43 vite burgim për vrasjen e dyfishtë në Deçan

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Durim e Sali Lushajt, për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit, duke i dënuar me dënim unik prej 43 vitesh burgim.

Durim Lushaj akuzohej se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.R. Kurse, pas kësaj, ngarkohet se bashkë me babanë e tij, Sali Lushaj kanë vrarë tani të ndjerin B.R, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve, u shpall të premten nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.

Sipas aktgjykimit, Durim Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” dënohet me 24 vite burgim, kurse për veprën e dytë armëmbajtje pa leje, dënohet me dy vite burgim. Të njëjtit, gjykata i shpalli dënim unik prej 25 vitesh burgim.

Kurse, Salih Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” u dënua me 17 vite burigm, kurse për armëmbajtje pa leje, dënohet me dy vite burgim. Të njëjtit, iu shpall dënim unik me 18 vite burgim.

Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Gjykatësja Husaj-Rugova njoftoi se të akuzuarve, iu vazhdohet masa e paraburgimit pas shpalljes së aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, njëri nga familjarët e familjes Lushaj iu drejtua kryetares Violeta Husaj-Rugova, duke i thënë se nuk dinte të gjykonte.

Kjo bëri që i njëjti të përjashtohej nga gjykimi dhe më pas filluan britmat e sharjet në mes të familjarëve dhe familjarëve të palës së dëmtuar.

Asnjë koment

Comments are closed.