19-04-2024

Gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit të ndërtimtarisë në Prizren, mbrojtja e konteston profesionalizmin e ekspertit të ndërtimtarisë

Mbrojtësi i ish-inspektorit të ndërtimtarisë në Prizren i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Nexhmedin Musliu, avokati Gent Gjini, ka pasur vërejtje në përgatitjen shkollore dhe profesionalizmin e ekspertit të ndërtimtarisë, Liman Mustafa.

Kjo vërejtje e avokatit erdhi pasi që eksperti Mustafa u pyet nga i njëjti për përgatitjen e tij profesionale.

“Kam vërejtje në profesionalizmin e ekspertit dhe konsiderojë se përgatitja shkollore nuk është adekuate për të bërë ekspertizë dhe raportin në këtë lëmi”, tha avokati Gjini.

Paraprakisht, eksperti Mustafa tha se ka të kryer shkollën e mesme të ndërtimtarisë dhe shkollën e lartë hidrondërtimtarisë dhe se ka 45 vjet përvojë pune.

I pyetur nga prokurorja Ervehe Gashi, se gjatë këtyre 45 viteve përvojë pune, a është kjo hera e parë që ka përpiluar ekspertiza për gjykatën, eksperti tha se është ekspert që nga viti 1973 dhe se ka kryer ekspertiza ndërtimore prej më të ndryshmeve më tepër se 3 mijë, ndërsa të këtij lloji ndoshta 10 ekspertiza.

E, i akuzuari e pyeti ekspertin se a mund ta shpjegojë se si në një pikë të ekspertizës shuma e shumëzuar me zero të jep vlerë, eksperti tha se është bërë një gabim teknik dhe se në vend të zeros duhet të jetë numri 50.

Pas dëgjimit të ekspertit me kërkesë të të akuzuarit me arsyetim se i duhet kohë të përgatitet për mbrojtjen e tij, kjo seancë është ndërprerë dhe e radhës është caktuar më 14 dhe 15 korrik 2022, ku pritet të vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarit dhe fjalën përfundimtare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Asnjë koment

Comments are closed.