27-04-2024

Kryetari i degës së LDK-së në Malishevë flet pas vendimit për t’i përjashtuar tre asamblistë

Lidhja Demokratike e Kosovës në Malishevë, ka marrë vendim dy ditë më parë që t’i përjashtoj nga forumët e partisë tre asamblistë të këtij subjekti.

Vendimi është marrë në ditën kur njëri prej tyre është zgjedhur Kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës me mbështetjen e Nismës Socialdemokrate.

Kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Bajrush Hoti në një prononcim për Indeksonline ka thënë se vendimi ka qenë unanim i kryesisë për t’i përjashtuar asamblistet në fjalë.

Bëhet fjalë për Argjend Thaçin, Hamit Limën dhe Driton Kastratin.

“Dega e LDK-së me vendim unanim me vetëm një votë kundër, ka marrë vendim për t’i shkarkuar për shkak të destruktivitetit të tyre edhe gjatë fushatës, por edhe mospajtimeve që kemi pasur rreth koalicioneve”, ka thënë Hoti për Indeksonline.

Ai ka bërë me dije se asamblistët e përjashtuar nuk do të ftohen në forumet e LDK-së dhe se nuk do të kenë më kurrfarë bashkëpunimi me ta.

Hoti ka thënë se LDK do t’i ketë  tre asamblistë të cilët sipas tij, do të jenë opozitë e fuqishme.

Kujtojmë se Argjend Thaçi u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës me mbështetjen e asamblistëve të Nismës Socialdemokrate./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.