02-12-2024

Pritet dëgjimi i një eksperti në gjykimin për vrasjen e vëllezërve Maloku në Malishevë

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, sot ishte e paraparë që të vazhdohet me administrimin e provave materiale, mirëpo pas propozimit për dëgjimin e ekspertit për grimca të barutit, eksplozivë dhe zjarrvënie, seanca është ndërprerë që ajo të vazhdohet më 3 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Blerim Maloku, por ai në seancën fillestare të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari për vrasje të rëndë, Besim Maloku, ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu e ka miratuar propozimin e prokurorit Ramiz Buzhala dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates Fehmije Gashi që të thirret eksperti për grimca të barutit, eksplozivë dhe zjarrëvënie, në mënyrë që të sqarohen lidhur me raportin e përpiluar nga ana e tyre.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Fehmije Gashi, në seancën e së martës ka propozuar që të ftohet të dëshmojë edhe përpiluesi i aktakuzës, tashmë prokurori i suspenduar Agron Matjani.

“Propozoj që të merret në pyetje përpiluesi i aktakuzës, zoti Agron Matjani, ngase konsideroj se arsyetimi të cilin e ka bërë në aktakuzë nuk përkon me cilësimin juridik të veprave penale, që ka të bëjë me të pandehurin Blerim Maloku”, deklaroi avokatja Gashi.

Mirëpo, një propozim të tillë nuk e ka konsideruar si propozim mbrojtësi i të akuzuarit Maloku, avokati Ndrecë Dodaj, pasi që, sipas tij, kjo më tepër i ngjan një denoncimi, përkatësisht një hetimi ndaj një zyrtari që ka kryer hetime, duke shtuar se e kundërshton një propozim të tillë.

Më pas, trupi gjykues e ka refuzuar propozimin që të thirret përpiluesi i aktakuzës, prokurori Agron Matjani, në cilësi të dëshmitarit, duke i propozuar përfaqësuese së palës së dëmtuar së nëse e sheh të arsyeshme në lidhje me përpilimin e aktakuzës mund t’i drejtohet organeve tjera përgjegjëse.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet 3 korrik 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Ai akuzohej se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku kanë ikur nga vendi ngjarjes.

Ndërsa, i akuzuari Blerim Maloku akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.