28-09-2021

Prizren: Vendoset gurthemeli i Pishinës Olimpike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të Pishinës Olimpike në Prizren, i cili është investim i MKRS-së dhe i komunës së Prizrenit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, këtë projekt e cilësoi si investimin më të rëndësishëm që ka bërë MKRS-ja në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Gash tregoi se kjo ministri i ka ndarë 500 mijë euro për këtë projekt.

“Ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme kapitale që e financon MRKS-ja, jo vetëm në Prizren por në gjithë Republikën e Kosovës. Ka një kosto prej 2 milionë e gjysmë. Ajo që është me rëndësi për këtë vit, MRKS-ja ka të planifikuar dhe ka ndarë 500 mijë euro për këtë projekt dhe besoj që sipas planit dinamik të vazhdojmë punimet dhe t’i sigurojmë mjetet tjera në mënyrë që të vazhdojë ky projekt”, tha Gashi.

“Është projekt që investohet nga MRKS-ja për qytetarët e Prizrenit dhe sportistët e Prizrenit dhe është njëri ndër projektet më të bukura që ka investuar ndonjëherë MRKS-ja”, tha Gashi.

Fotografia e Kujtim Gashi

Gashi tha se pret që ky projekt të realizohet brenda 36 muajsh ashtu siç është paraparë dhe shpreson që nuk do të ketë vonesa por pret dinamike të përshpejtuar nga punëkryerësit e projektit.

“Kjo është në kuadër të përkushtimeve tona dhe në kuadër të programit tonë për të rregulluar infrastrukturën sportive në Kosovë dhe ajo që është më rëndësi ky projekt ka qenë i paraparë me një kosto buxhetore nga mjetet e siguruara të AKP-së, por meqë ky ligj nuk ka kaluar në parlament ne e kemi siguruar një fond tjetër dhe ajo që mund të garantojë komunën dhe punëkryesin është se mjetet janë të siguruara dhe vetëm kërkojmë një dinamikë të përshpejtuar në mënyrë që për 36 muaj ky projekt t’i dorëzohet qytetarëve dhe sportistëve të Prizrenit”, tha Gashi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se vlera e projektit kap shifrën rreth 2 milionë e gjysmë dhe se theksoi se qytetarët e kësaj komunë kanë pasur nevoje për një pishinë të tillë, raporton EO.

“Vlera e projektit është 2 milionë e gjysmë euro, është pishinë olimpike e mbyllur. Besoj që qytetit të Prizrenit i është nevojitur kjo dhe besoj qe do të jetë një ndër objektet i cili do të vizitohet më së shumti nga qytetarët e komunës së Prizrenit dhe të rrethinës”, tha Haskuka.

“Është një projekt i qëlluar dhe ne si komunë së bashku me Ministrinë do të punojmë që edhe punëkryesi ta kryejë në afat të duhur sipas planit që pishina duhet të kryhet në 36 muajt e ardhshëm. Punimet tashmë filluar, ne kemi dashur gurthemelin ta bëjmë bashkë me ministrin, e kemi shtyer pak ditën e hapjes, por kompania tani ka filluar dhe shpresoj të përfundojë në afat të caktuar”, shtoi Haskuka.

Asnjë koment

Comments are closed.